Ambasadori Gjoka: Do zhvilloj lidhjet me Rusinë
RUDINA HOXHA
Ambasadori shqiptar në Federatën Ruse, Z. Sokol Gjoka, i cili i dorëzoi Letrat Kredenciale Presidentit Rus, Dimitri Medvedev tetorin e kaluar, thekson në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama” se objektivi i tij në këtë post është “zbritja e diplomacisë klasike në diplomaci të marrëdhënieve midis njerëzve”, ndërkohë që mendon se më pak bashkëpunim është prodhuar në krahasim me interesat aktuale të dy vendeve. Gjoka e quan 12 tetorin 2009, datën kur i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit Rus, si një datë me vlera historike, jo vetëm për karrierën e tij personale, por edhe për marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Rusi. Ai e përkthen emërimin e tij në këtë post si “më shumë punë e profesionalizëm për të tejkaluar edhe ndonjë dallim në qëndrimet midis vendeve për ndonjë çështje të diskutueshme”. Gjoka, me profesion gazetar dhe me një eksperiencë të gjatë në fushën e diplomacisë, ka ndjekur nga afër zhvillimet në Rusi pas viteve 80-të. Sipas tij, të gjitha ngjarjet që kanë përfshirë të dy vendet tona përfshirë edhe mosmarrëveshjet politiko-ideologjike të kohës në vitet ‘60 lanë gjurmë në formimin e tij personal. Për më tepër, çështja e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve është një çështje që kërkon një vëmendje të veçantë në Rusi, sipas tij.
Ju lidh diçka me Rusinë?
Rusia është një vend i madh, me një peshë të madhe specifike në zhvillimet ndërkombëtare dhe në vendimmarrjen botërore. Nga ana tjetër, Shqipëria dhe shqiptarët kanë pasur një histori marrëdhëniesh jo pak të ndjeshme me ish-Bashkimin Sovjetik dhe me popullin rus, për të paktën rreth 15 vjet rresht. Mosmarrëveshjet politiko-ideologjike të kohës e zhbënë atë, duke krijuar mjaft vështirësi dhe duke sjellë trishtim dhe persekutim për ata që quheshin “ura lidhëse” midis dy popujve. Të gjitha këto nuk mund të mos linin gjurmët e tyre në formimin tim profesional. Përveçse njohjes me disa autorë rusë, unë kam ndjekur nga afër të gjitha zhvillimet në Rusi, mbas viteve ‘80, për të studiuar në imtësi procesin e “Perestrojkës” dhe të “Gllasnostit” të ideuar dhe zbatuar nga ish-presidenti rus Gorbaçov. Kuptohet që angazhimi im në diplomacinë aktive shqiptare bëri të mundur që të gjitha njohuritë e mia për Rusinë dhe rolin e saj në zhvillimet ndërkombëtare, t’i vë në shërbim të saj. Aq më tepër tani, që unë jam një ndër aktorët kryesorë të transmetimit, përpunimit dhe zbatimit të politikës së jashtme të shtetit shqiptar në shtetin rus. Ndër pakicat kombëtare në Rusi, përmendim edhe atë shqiptare.
Cilat janë sfidat që ju presin në këtë post?
Sfidat që më presin mua në detyrën e Ambasadorit janë të shumta. Ato përqendrohen të gjitha në një pikë: në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, të fokusuara në bashkëpunimin politik, ekonomik, arsimor, kulturor, shkencor, konsullor, çështjen shqiptare, në fushën e turizmit, medias, imazhit, kuadrit ligjor etj. Mendoj se gjatë kësaj kohe është prodhuar më pak bashkëpunim në marrëdhëniet dypalëshe krahasuar me kapacitetet dhe interesat e të dy vendeve. Duke vlerësuar edhe vullnetin e shtetit rus për të nxitur marrëdhëniet dypalëshe, unë e kam filluar mandatin tim, mbështetur në interesat e Shtetit shqiptar, me një diplomaci aktive, që synon bashkëpunim konkret në fushat e lartpërmendura si në atë politike, ekonomike, konsullore, arsim, kulturë, shkencë, trajtim të shqiptarëve në Rusi, mirëkuptim të realitetit të ri në Kosovë, si dhe të rolit konstruktiv të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit etj. Gjatë këtyre dy muajve të aktivitetit tim në Moskë, u zhvilluan konsultimet konsullore midis dy vendeve, pritet pjesëmarrja e një delegacioni të nivelit të lartë parlamentar, i cili do të marrë pjesë në sesionin e 34-të të PABSEC që zhvillohet në Moskë, do të mbahet, në datat 2-3 dhjetor 2009, sesioni i radhës i komisionit të përbashkët ndërqeveritar Shqipëri-Rusi për bashkëpunim ekonomik, tregtar, kulturor dhe arsimor, janë marrë kontakte me drejtues kryesore të një numri të konsiderueshëm institucionesh shtetërore ruse, por edhe kompani private, kryesisht atyre të fushës energjetike, janë zhvilluar takime të veçanta me Shoqatën e Miqësisë Rusi-Shqipëri si dhe me diasporën shqiptare në Rusi, me studentët shqiptarë në Rusi, u prit në Rusi dhe u shpërnda sipas destinacionit kontingjenti i ri prej 25 studentësh shqiptarë, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe në fushën e arsimit, erdhën në Shqipëri në kursin veror mbi 10 studentë dhe pedagogë rusë, që mësojnë gjuhën shqipe dhe Albanologji, po përgatiten dy projekte koncertore shqiptare, në fushën e muzikës klasike në Rusi, së shpejti do te zhvillohet një takim me agjencitë turistike ruse që veprojnë në rajonin e Ballkanit për të nxitur bashkëpunimin turistik edhe me Shqipërinë, po përgatitet pritja me rastin e Festës Kombëtare, me ç’rast do të kremtohet edhe 85 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Rusi, është ngritur dhe trajtuar çështja e Kosovës dhe çështja shqiptare në rajonin e Ballkanit në institucionet qendrore ruse të politikës së jashtme, si edhe në qarqe akademike ruse në Moskë etj. Gjithashtu, po punohet për një plan të detajuar bashkëpunimi midis të dy vendeve për vitin 2010.
Cili është imazhi i Shqipërisë në Rusi dhe në ç’mënyrë keni menduar ta promovoni atë?
Çështja e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve është një çështje që kërkon një vëmendje të veçantë në Rusi. Kjo për arsye të mos njohjes së mirë të realitetit shqiptar në Rusi, nganjëherë, të deformimit të këtij realiteti në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Ballkan etj. Çështja e mos njohjes mirë në Rusi të Shqipërisë dhe shqiptarëve, në përgjithësi, mu vu në dukje edhe nga Ministria e Jashtme ruse. Kështu që në veprimtarinë time të përditshme i kam kushtuar një kujdes të veçantë njohjes së këtij realiteti, si në institucionet ruse, që janë disi larg rrjedhave të zhvillimeve ndërkombëtare, ashtu dhe në komunitetin e biznesit, masmedias dhe, nëpërmjet kësaj të fundit, opinionit publik rus. Ndër aktivitetet e mia të para në Moskë ka qenë edhe një takim me përfaqësues të medias ruse si dhe të qarqeve akademike të interesuara për zhvillimet në Shqipëri, në rajonin e Ballkanit etj. Interesimi i medias dhe i qarqeve akademike në takim ishte i admirueshëm. Ndërkohë, në përgjigje të interesimit të medias ruse, po bashkëpunoj me Televizionin prestigjioz rus “Mir” (Paqja) për të bërë një film dokumentar mbi aktivitetin e Ambasadorit të RSH në FR, mbi zhvillimet në Shqipëri dhe rolin që Ambasada e RSH në FR luan për nxitjen e marrëdhënieve dypalëshe. Ky dokumentar, filmimet e të cilit kanë filluar, pritet të përfundojnë në dhjetor të këtij viti në sistemin kabllor dhe satelitor, për një audience prej rreth 40 milionë shikuesish.
Keni menduar një plan masash për t’i dhënë një shtysë marrëdhënieve dypalëshe?
Synimi i çdo diplomacie aktive dhe konkrete është ta zbresë diplomacinë klasike në diplomaci të marrëdhënieve midis njerëzve. Kjo e fundit e bën diplomacinë më të prekshme, më aktive dhe më transparente. Edhe Ambasada e RSH në FR ka plane të qarta veprimtarie për të tashmen dhe të ardhmen.
Si do ta komentonit ju ndasinë për Kosovën?
Do të dëshironim shumë që këto qëndrime të ishin të njëjta dhe t’i përgjigjeshin realitetit progresiv të zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë. Ndaj dhe ne vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim.