E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vodhën paratë e kazinosë, në pranga tre punonjësit

 

Kryejnë denoncim të rremë për vjedhjen me armë e maska të kazinosë, në pranga tre punonjësit. Policia e Korçës u njoftua rreth orës 21:00 të së dielës se tre persona kishin grabitur një pike të lojërave të fatit të Kompanisë “Admiral Klub”. Sipas punonjësve, tre persona të maskuar, njëri prej të cilëve me një automatik, nën kërcënimin e armës kishte grabitur shumën e 230 mijë lekëve, aq sa kishte qenë edhe xhiroja e darkës. Policia kreu gjer në mesnatë veprimet në kazino, por hetuesit gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dyshuan se autorët ishin vetë punonjësit. Rreth orës 24:00 policia dhe grupi i hetimit u larguan, duke kërkuar që të mbyllej në atë kohë edhe lokali.
Tre punonjësit u lanë të lirë, por blutë mbajtën nën vëzhgim gjatë gjithë natës vendin e grabitjes dhe rrugën ku ndodhet kazinoja. “Rreth orës 03:30 aty janë shfaqur tre punonjësit e lokalit, të cilët i janë drejtuar një kazani plehrash. Ndërsa dy prej tyre ruanin se mos në rrugë shfaqej ndonjë njeri, i treti gërmoi në kazan dhe prej andej nxori qesen ku kishin vendosur paratë e vjedhura” bëri të ditur dje policia e Korçës. Por pikërisht në këtë moment agjentët kanë ndërhyrë duke arrestuar të tre personat që kryen kallëzimin e rremë. Në cilësinë e provës materiale u bllokua edhe shuma e vjedhur prej tyre të cilën ata e kishin fshehur në kazanin e plehrave. Sipas policisë, dy prej të arrestuarve janë vëllezërit Endri  dhe Leonard Bostanxhi, përkatësisht 34 dhe 40 vjeç, ndërsa i treti i prangosur është Kostika Simaku, 43 vjeç. Sipas policisë Endri Bostanxhi ishte punonjësi i sigurisë në këtë pikë të lojërave të fatit, dhe në këtë aventurë kishte futur edhe vëllanë e tij, ndërsa i treti, Simaku, ishte punonjës i po këtij lokali. Për të tre autorët e grabitjes u kryen veprimet proçeduriale për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim. Sipas policisë, grupi i hetimit kishte dyshuar që në momentet e para për veprën e kryer në bashkëpunim, por për mungesë të provave i kishin lënë të lirë të dyshuarit. Për të konfirmuar dyshimin e tyre, ata vendosën të mbanin nën survejim kazinonë dhe personat, të cilët iu afruan vendit ku kishin fshehur paratë pak para se të zbardhej dita.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›