Elira Bregu, në monopatet e jetës së të atit
Ajo e njohu tepër vonë. Më së shumti përmes shkrimit. I vjen keq, jo vetëm se nuk mundi t’i jepte e të merrte prej tij më shumë dashuri, por sepse për vite me radhë e la veten të shihte me sytë e të tjerëve. Dhe si për të larë një borxh, por edhe për të dërguar një mesazh dashurie, ajo shkruan një libër. Në përvjetorin e vdekjes së të atit, Elira Bregu i dedikon një libër, i cili pasi është botuar në Greqi, pritet t’i vijë edhe lexuesit shqiptar. E ka titulluar “Monopatet” dhe është një roman mbështetur mbi kujtimet, që i ati i la përpara se të ndahej nga jeta nga një sëmundje e rëndë. Është jeta e tij, një histori e dhimbshme, deri në kufijtë e irreales, që nis në një sallë gjyqi, ku një 16-vjeçar ndodhej në bankën e të akuzuarve, për të zbritur në fëmijërinë e një jetimi të konsideruar nga ata që e rritën si “i tepërt”, vitet e shkollimit, të punës me tentativa për t’u arratisur, burgimi për agjitacion e propagandë dhe një jetë afektive e dështuar. “Babai im nuk ishte hero, nuk ishte as politikan, as artist apo historian, për të cilin mund të shkruheshin libra të tërë. Babai im ishte banor dhe nënshtetas shqiptar, i cili jetoi tre sisteme të këtij shteti, Shqipërinë e viteve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, Shqipërinë e sistemit komunist, ose për të qenë më të qartë, të sistemit të “Partisë së Punës shqiptare”, si dhe demokracinë e shumë pritur”, shkruan Elira në parathënin e librit. Teksa shkruante, Elira zbulonte. Zbulonte njeriun që e lindi, por që nuk mundi ta shijonte për shkak të paragjykimeve dhe zgjedhjeve që prindërit bëjnë për fëmijët e tyre. Është një histori shumë personale, por ku çdo kush mund të shohë veten, ndoshta jo kaq tragjikisht, por dikush ka jetuar mes prindërish të divorcuar, një tjetër ka urryer pa arsye, një tjetër ka vuajtur përçmimin e njerëzve të vet, një tjetër është ndier më kotë i pavlerë e inferior. “Çdo ngjarje e jetës sonë është një mësim për ne dhe për të gjithë ata që e dëgjojnë, megjithëse ndryshimi midis të dëgjuarit dhe të jetuarit është si ajo midis malit dhe kodrës edhe pse çdo njëri prej tyre ka bukurit dhe vlerat e tij. Kjo eksperiencë e jetës së babit tim, me vlera morale e shoqërore, mund të mbetej në prizmin e diskutimit midis atyre që e njohën apo që kanë lidhje gjaku me të, por nuk do të lejoja në asnjë mënyrë që egoizmi im të shkojë kaq larg, duke mos respektuar figurën e këtij njeriu si dhe peripecitë e jetës së tij”, thotë Elira.