E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori Lohan: “Mes forcave politike mungon besimi”



Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, ka reaguar dje për grevën e deputetëve të LSI-së dhe të PDK-së për Kodin Zgjedhor. Lohan e shikon protestën e deputetëve si një mungesë besimi midis forcave politike në Shqipëri. Ai ka theksuar dje për mediat se palët duhet të përpiqen të krijojnë një klimë besimi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në mënyrë që të mos ketë kontestime të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. “Çështja e Kodit Elektoral është një çështje besimi dhe kjo mbetet problem për forcat politike. Ka mbizotëruar mungesa e besimit mes forcave politike për Kodin Zgjedhor. Unë do ta quaja se do të ishte një arritje për Shqipërinë në rast se partitë do të bashkëpunonin për të krijuar një klimë besimi në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos kontestohen në fund”,- është shprehur ambasadori i KE-së, Lohan. Kjo deklaratë e përfaqësuesit të Komisionit Europian në Tiranë ka ardhur në ditën e dytë të grevës së urisë së 11 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Vetëm pak ditë më parë, ndërsa ka komentuar Progres-Raportin e KE-së për Shqipërinë, Ambasadori Lohan ka theksuar se hartimi dhe miratimi i Kodit Zgjedhor duhet të realizohet nëpërmjet negociatave dhe konsensusit të të gjitha forcave politike në vend.
Megjithatë, Lohan është shprehur se parlamenti është ai që jep vendimin përfundimtar për ligjet në Shqipëri. Pikërisht këtë përgjigje kanë marrë deputetët grevistë edhe nga ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, pak ditë më parë. Gjatë një proteste të mbështetësve të LSI-së pranë selisë së OSBE-së, Bosh ka bërë të ditur se OSBE-ja jep rekomandime për politikën shqiptare, por nuk mund të ndërhyjë në vendimet që merr parlamenti shqiptar.

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›