E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e urisë, PD-ja nuk tërhiqet nga Kodi Zgjedhor



Eljona Ballhysa
Deputetët e PD-së duken të vendosur për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pavarësisht grevës së 11 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Burime nga Komisioni i posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore bënë të ditur për gazetën se nuk do të ketë kthim mbrapa. Burimet zyrtare konfirmuan se pavarësisht grevës së urisë së 11 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të miratohen me konsensusin e dy partive të mëdha. Madje kjo është konfirmuar dhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e ka cilësuar grevën e urisë si një konflikt të brendshëm të opozitës. Ai tha se nuk do të përfshihet në këtë konflikt, por do të bashkëpunojë për Kodin Zgjedhor me partinë më të madhe të opozitës. “Pavarësisht nga respekti për të gjithë opozitën, jam i detyruar dhe i kushtëzuar që të negocioj me partinë më të madhe të opozitës. Unë respektoj vendimin e çdo njeriu, por personalisht do të negocioj me partinë kryesore të opozitës. Me problemet e brendshme të tyre, unë nuk merrem”, - është shprehur Berisha.
Komisioni
Komisioni i posaçëm për Kodin Zgjedhor do të zhvillojë dhe një mbledhje tjetër ditën e enjte. Gjatë kësaj mbledhjeje, sipas drejtuesve të Komisionit, do të diskutohet kapitulli i fundit i Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me sanksionet që do të merren ndaj komisionerëve që shkelin ligjin. Miratimi i këtij kapitulli u jep fund dhe ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Ndërkohë që drejtuesit e Komisionit kanë bërë të ditur se i gjithë drafti do të kalojë për miratim në seancë parlamentare në datën 20 nëntor. Sipas drejtuesve të Komisionit, nuk do të ketë kthim mbrapa ndaj ndryshimeve të miratuara, pavarësisht kundërshtimeve të deputetëve të partive të vogla. Një deklaratë e tillë nënkupton se dy partitë e mëdha nuk do të tërhiqen nga Kodi Zgjedhor dhe nuk do të ndikohen nga greva e urisë që kanë nisur që prej dy ditësh 11 deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokristiane.
Kundërshtimet
Dy partitë greviste, LSI-ja dhe PDK-ja, janë futur që prej dy ditësh në grevë urie për shkak se kundërshtojnë formulën e re të përbërjes së KQZ-së dhe të komisioneve të numërimit të votave si dhe mospërfshirjen e emigrantëve në votime. LSI-ja dhe PDK-ja kundërshtuan që KQZ-ja të përbëhet nga 7 anëtarë, duke pretenduar se në këtë mënyrë lihen jashtë përfaqësuesit e tyre dhe i hapet rruga bashkëpunimit të dy partive të mëdha për manipulimin e votës së shqiptarëve. Dy partitë e mëdha miratuan para disa ditës formulën e re të KQZ-së dhe komisioneve vendore të numërimit të votave. Pavarësisht kundërshtimit të dy partive, LSI-së dhe PDK-së, të mëdhenjtë miratuan që Komisioni i ri Zgjedhor të përbëhet nga 7 anëtarë dhe jo nga 9, sa ç’është aktualisht. Dy anëtarë do të propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e maxhorancës qeverisëse dhe dy nga partia e opozitës që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend. Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të maxhorancës qeverisëse, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të maxhorancës. Anëtari i gjashtë do të zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës. Ndërsa kryetari i KQZ-së propozohet nga grupi parlamentar i partisë më të madhe të maxhorancës. Ky grup i paraqet Kuvendit një listë prej jo më pak se katër kandidaturash. Më pas grupi parlamentar më i madh i opozitës përzgjedh dy nga katër kandidaturat e paraqitura dhe këto dy kandidaturat e përzgjedhura kalojnë për votim në seancë. Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit. E njëjta formulë ndiqet dhe me KZAZ-të.

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›