E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderët elektronik, bizneset depozitojnë 470 ankesa tek Avokati i Prokurimeve



Ervin KOÇI

Tenderët publik procedurat e të cilëve zhvillohen në rrugë elektronike, janë kthyer në një problem më vete për kompanitë private që aplikojnë për to. Mungesa e korrektësisë në zhvillimin e tyre nga ana e Agjencisë së Prokurimeve Publike, si dhe problemet që kanë procedurat elektronike, kanë rritur kohët e fundit numrin e ankesave nga subjektet private që pretendojnë se u bëhen padrejtësi ose shmangen nga tenderët. Të gjitha këto ankesa i drejtohen zyrës së Avokatit të Prokurimeve, prej nga ku kompanitë private presin zbardhjen e procedurave që i kanë lënë ato pa punë. Numri i ankesave të bëra prej subjekteve private lidhur me tender on-line deri në muajin shtator 2009, është aq sa kalon numrin e të gjitha atyre për viti 2008. Të dhënat publikohen çdo muaj nga Avokati i Prokurimeve, sipas të cilit, për periudhën janar-shtator pranë tij janë paraqitur 470 ankesa. Kjo shifër është më e lartë se totali i ankesave për vitin 2008, të cilat llogariteshin në 350 në total. Pika kulmore e ankesave ishte në muajt qershor-gusht, që përkon edhe me shpenzimet e larta të qeverisë në objekte të ndryshme infrastrukturore.

Ankesat me pagesë

Nuk kaluan 24 orë nga miratimi i ligjit të ri për prokurimin publik në Kuvend që vendos pagesa për ankimim dhe ja ku dalin të dhënat e fundit mbi numrin e apelimeve. Situata nuk duket edhe aq pozitive, po të shikosh që një numat shumë i madh kompanish private, madje edhe më shumë se vitin e kaluar, ankohen për zhvillimin e procedurave të tenderëve publik në rrugë elektronike. Gjithashtu, Avokati i Prokurimeve vijon të marrë ankesa në lidhje me procedurat e tenderimit për koncesionet, kryesisht në hidrocentrale. Në disa raporte kontrolli të Avokatit të Prokurimeve, bie në sy numri i lartë i shkeljeve në koncesionet e HEC-e, aq sa konflikti me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka qenë i dukshëm. Megjithatë, mësohet se të dyja palët kanë lënë të hapur rrugën e bashkëpunimit, me qëllim që të mbrohen interesat e biznesit, por edhe të gjenden zgjidhje të duhura. Tashmë me ligjin e ri, të miratuar tre ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, çdo biznes që kërkon të ankimojë tenderin, i duhet të paguajë para. Niveli që do të paguajë vendoset nga qeveria, por mendohet të jetë një përqindje mbi nivelin e fondit të investimit në tender. Po atë ditë, kur u miratua ligji, ministri i Shtetit, Genc Pollo, tha se aplikimi i tenderëve “on-line” ka rritur pjesëmarrjen e bizneseve në prokurime, për shkak se procedurat janë tepër transparente dhe askush nuk mund të ngrejë pretendime. Por shifrat e Avokatit të Prokurimeve tregojnë krejtësisht të kundërtën.

Prokurimet

Shqipëria është i vetmi vend në botë që realizon 100 për qind prokurime elektronike. Vendi i dytë në botë për prokurime elektronike të zhvilluar është Kili me 85 për qind, në një kohë që standardet evropiane lejojnë realizimin e prokurimeve deri në masën me 40 për qind. Tenderët elektronikë prej një viti dominojnë garat për thithjen e fondeve publike nga sektori privat. Me rifreskimin e ligjit për ”Prokurimet publike” një vit më parë, nisi aplikimi elektronik i kompanive në tenderë. Ky aplikim parashikonte një konkurrim “on-line”, i realizuar tërësisht nëpërmjet një projekti dhe infrastrukture të posaçme elektronike që komandohet nga Agjencia e Prokurimit Publik. Pikërisht ndryshimi i sistemit të tenderimit duket se u ka lënë shkas shumë institucioneve që shpallin tenderë që të ”diskriminojnë” qindra firma dhe kompani padrejtësisht, duke shfrytëzuar kërkesat strikte të dokumentacionit që imponon ligji ”Për prokurimin” në rastet kur prokurimi nuk është elektronik. Një prej kritereve që ka ”djegur” padrejtësisht qindra kompani ka qenë kërkesa për dokumentacion të noterizuar.

Moskontrolli ndaj cilësisë së karburanteve, shkarkohet kreun e IQT-së Ilir Kurti

Konsumatorët në vend po dëmtohen për shkak të cilësisë së dobët të karburanteve në treg, ndërsa inspektorët e Inspektoratit Qendror Teknik nuk kanë marrë masa ndaj kompanive të mëdha që operojnë në këtë treg. Për këtë arsye dje Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, ekzekutoi shkarkimin e Drejtorit të IQT-së, Ilir Kurti dhe emëroi në vend të tij Virgjil Jotin. Sipas ministrit Prifti, është i patolerueshëm fakti që ende nga ky Inspektorat nuk janë mbledhur 27 milionë lekë gjoba që u janë vendosur subjekteve që janë konstatuar me shkelje në sektorin e hidrokarbureve. “Është absurd fakti që në vitin 2008 u vendosën vetëm 60 gjoba për shkelje nga kompanitë nga inspektorët në terren, që janë ‘peshq të vegjël’ dhe nuk është gjobitur, asnjë nga kompanitë e mëdha që kanë shkelur ligjet",- deklaroi dje Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Kreu i METE-s, akuzoi inspektorët për bashkëpunim me importuesit e karburanteve në tregun shqiptar. "Konsumatori ka probleme me cilësinë e karburantit që tregtohet në tregun shqiptar, por problemi nuk vjen nga importi, por nga abuzimet pasi futet në tregun tonë",- tha Prifti. Sipas ministrit, masat ndaj shkelësve duhet të shkojnë nga gjoba, heqja e licencës e deri të mbyllja e aktivitetit, ndërsa i dha 3 muaj kohë Inspektoratit për ndryshimin e kësaj situate. Nga inspektimet e bëra, rezulton se asnjë nga pikat e karburanteve në vend nuk ka një shenjë të importuesit, ç'ka e konsideroi një shkelje, nga e cila importuesit vendas kanë përfituar. Në ndryshimet ligjore do të përfshihet vendosja e një numri jeshil në të gjitha pikat e tregtimit të karburanteve, në mënyrë që konsumatori të ketë mundësi që të ankohet për çdo abuzim.

26 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›