Nikolin Jaka zgjidhet kreu i ri i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë
Nikolin Jaka, ish-zëvendësministri i Transporteve, është zgjedhur në postin e kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Asambleja e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë e ka zgjedhur Nikolin Jakën me 60 vota pro, ndërsa në votim morën pjesë 75 anëtare të Asamblesë. Në garë kanë marrë pjesë edhe Edmond Rusmali dhe Sami Çelaj, por shumicën e votave e ka marrë ish-zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka. Zgjedhjet për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë u zhvilluan pasi ish-kreu Gjok Uldedaj që mbante këtë post dha dorëheqjen pas marrjes së mandatit të deputetit në zgjedhjet e 28 qershorit. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë është një institucion i cili përfaqëson interesat e biznesit shqiptar brenda dhe jashtë vendit dhe ka si të anëtarësuar në përbërje të saj me dhjetëra subjekte private nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Reshjet e ditëve të fundit katërfishojnë prurjet në kaskadën e Drinit
Që prej tri ditësh, rajoni i verilindjes së Shqipërisë dhe një pjesë e Kosovës dhe Maqedonisë janë përfshirë nga reshjet e shiut. Reshjet e fundit kanë ndikuar pozitivisht në prurjet e burimeve ujore, përfshi edhe ujin e pijshëm, por treguesit më optimistë janë në shtimin e prurjeve në kaskadën e lumit Drin, çka përmirëson ndjeshëm situatën energjetike në vend. Të dhënat e fundit nga hidrocentrali i Fierzës tregojnë se prurjet e ujit janë katërfishuar në krahasim me tri ditë më parë. Nga 40 m3/sekondë që ishin, tani ato shkojnë në mbi 150 m3/sekondë. Niveli i liqenit të Fierzës ndodhet në kuotën e 250 m mbi nivelin e detit, një kuotë relativisht e mirë për stinën. Hidrocentrali i Fierzës, më i madhi në vend, po punon me tri turbina nga katër që ka, ndërsa me kapacitet të plotë po punojnë Komani dhe Vau i Dejës.
Italia, më shumë leje transporti për biznesin shqiptar
Ministri italian i Transporteve, Altero Matteoli, është angazhuar për zgjidhjen e problemit të autorizimeve për transportuesit shqiptarë drejt Italisë, angazhim të cilin e mori gjatë një takimi që zhvilloi me homologun shqiptar Sokol Olldashi, në Napoli. Problemi i autorizimeve të transportuesve shqiptarë drejt Italisë ndeshet çdo fundviti, për shkak të numrit të kufizuar të tyre nga pala italiane. Për këtë arsye, ministri ynë kërkoi një shtesë të numrit të autorizimeve, për shkak të kërkesave gjithnjë në rritje të transportuesve shqiptarë drejt Italisë. Një tjetër kërkesë vjen nga pala shqiptare drejtuar kësaj here ministrit francez të Transportit. Të dy ministrat kanë diskutuar për vënien në përdorim të kohëmatësit dixhital (digital tachograf) për transportuesit shqiptarë. Ministri francez u angazhua të ndihmojë Shqipërinë në procesin e prodhimit të kartave të kohëmatësit dixhital, për ta realizuar atë brenda afateve të përcaktuara nga Bashkimi Europian.
Euro nuk lëshon teren, qëndron në kuotat e një jave më parë
Monedha evropiane, euro, gjatë javës së fundit ka shkuar drejt stabilizimit në tregun e këmbimeve valutore kundrejt lekut, duke qëndruar pothuajse në të njëjtat kuota të këmbimit. Dje një euro blihej në tregun e këmbimeve valutore mesatarisht me 137,7 lekë dhe shitej me 138,3 lekë, ndërkohë që një javë më parë blihej me 136,8 lekë dhe shitej me 137,4 lekë. Euro ka humbur 2-3 lekë kundrejt monedhës shqiptare, lekut, pas forcimit që pati para tre javësh, duke arritur kuotën më të lartë të vitit në këmbimet valutore. Para tre javësh, euro arriti kuotën më të lartë duke u blerë mesatarisht me 138-139 lekë dhe shitur me 139-139,5 lekë. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një euro është blerë në tregun e këmbimeve valutore mesatarisht me 123,7 lekë dhe është shitur me 124,2 lekë. Në fillim të këtij viti, një euro blihej me 123,3 lekë dhe shitej me 123,8 ndërsa vitin e kaluar, ajo kishte kuotën më të lartë të këmbimit ndaj lekut në muajin mars, me 125,3 lekë.
26 Tetor 2009