E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon klasifikimi, biznesi me 5 milionë lekë xhiro në vit taksohet si i madh



Ervin KOÇI

Bizneset që kanë një xhiro vjetore prej 5 milionë lekësh në vit do të klasifikohen si biznese të mëdha. Vendimi është marrë nga Ministria e Financave pas kërkesës së përsëritur prej Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për uljen e pragut të skemës së TVSH-së. Me këtë vendim pritet të rritet ndjeshëm numri i bizneseve që do të futen në skemën e TVSH-së, e për rrjedhojë edhe të ardhurat në arkën e shtetit. Në rang vendi sipas përllogaritjeve të bëra nga DPT-ja, pritet që të kalojnë në skemën e bizneseve të madhe mbi 15 mijë subjekte private. Këto do të nisin të taksohen si subjekte të mëdha menjëherë që nga janari i vitit që vjen, kohë kur bëhet dhe mbyllja e bilanceve vjetore dhe e shlyerjes së detyrimeve të të gjitha taksave në Tatime për vitin 2009. Bizneset që aktualisht klasifikohen si biznes i vogël, pas ndryshimeve në pragun minimal të xhiros së aktivitetit pritet të shndërrohen në subjekte të pagimit të Tatimit të Vlerës së Shtuar. Disa kohë më parë vet kreu i DPT-së, Artur Papajani, i kërkoi ministrit të Financave përgjysmimin e pragut për futjen në skemën e TVSH-së të subjekteve, nga 8 milionë lekë që është aktualisht në 4 milion lekë xhiro vjetore. Por qeveria dhe Ministria e Financave pasi i kanë shqyrtuar kërkesat e Tatimeve, mësohet se kanë dalë në konkluzionin që kufiri i subjekteve për kalimin në skemën e TVSH-së të jetë 5 milionë lekë xhiro në vit dhe jo 4, siç ishte propozuar.

Investigimi

Prej kohësh tatimet kanë nisur një investigim në terren për bizneset dhe nga investigimi ka rezultuar se një numër i konsiderueshëm biznesesh abuzonin me deklarimin e xhiros vjetore. Sipas tatimeve, nga investigimi tatimor janë zbuluar rreth 3500 biznese me xhiro më të lartë se 8 milionë lekë në vit dhe që sigurisht kanë raportuar më pak. Statusi i tyre do të ndryshojë që në fillim të vitit tjetër. Sipas zyrtarëve të administratës tatimore, nga investigimi që kanë bërë del se nuk është reale shifra e deklaruar në deklaratat që biznesi i vogël ka dorëzuar në mars. Rreth 10% e tatimpaguesve të biznesit të vogël në gjithë Shqipërinë doli me xhiro mbi 2 milionë lekë. Pas investigimeve, në gjithë territorin dolën të paktën 3500 subjekte që janë kontingjente gati për të kaluar në biznes të madh, të cilët nga investigimet e inspektorëve tatimorë e kanë kaluar atë shifër që kanë deklaruar në pushtetin lokal me 2-3 milionë lekë xhiro. Por ulja e pragut për futjen e bizneseve në skemën e TVSH-së pritet të rrisë ndjeshëm jo vetëm numrin e bizneseve të mëdha, por edhe të ardhurat në arkën e shtetit. Kjo, pasi të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar zënë një peshë kryesore në buxhetin e shtetit.

Të ardhurat

Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Financave, deri në fund të muajit gusht, të ardhurat buxhetore gjithsej arritën në 195.03 miliardë lekë, ose rreth 8.6% më pak se parashikimi, dhe 5.4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të ardhurat tatimore po në fund të këtij muaji arritën në 180.4 miliardë lekë, ose 7.4% më pak se parashikimi; krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ato janë rreth 6% më të larta. Ndërsa shpenzimet totale deri në fund të muajit gusht arritën në 242.5 miliardë lekë, ose 6.7% më pak se parashikimi; krahasuar me janar-gusht 2008 shpenzimet rezultuan 23.3% më të larta. Shpenzimet korente rezultuan me 7.3% më pak se parashikimi dhe 18.4% më shumë se viti i kaluar, ndërsa shpenzimet kapitale rezultuan 5.1% më pak se parashikimi dhe 55.7% më shumë se viti i kaluar. Si pasojë e efekteve që dha kriza në ekonominë vendase, qeveria u detyrua të bëjë disa ndryshime në buxhetin e këtij viti. Ajo çka bie në sy është ulja e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Qeveria ka kryer edhe një rishpërndarje të shpenzimeve. Ndryshe nga sa ishte parashikuar më parë nga qeveria, këtë vit rritja ekonomike do të jetë 4.8 për qind. Ndryshimet u miratuan vetëm pak kohë më parë nga qeveria.

26 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›