E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore, të gjitha projektet e investiguara në Shqipëri janë me probleme

Problemet dalin vetëm pas denoncimeve spontane të njerëzve të thjeshtë. Në asnjë moment, qeveria apo përfaqësia e BB-së, nuk i kanë parandaluar defektet

Tri ditë më parë, Paneli i Inspektimit të Bankës Botërore i dorëzoi Bordit Drejtues (Në Uashington) të kësaj banke hetimin që ishte zhvilluar mbi mënyrën se si ishte ndërtuar TEC-i i Vlorës, ku pjesën kryesore të financimit e kishte pikërisht BB-ja. Thelbi i diskutimeve të krerëve të BB-së lidhur me raportin e Panelit të Inspektimit ishte fakti se disa parametra të rëndësishëm të Bankës, sidomos në lidhje me mbrojtjen e mjedisit, nuk ishin zbatuar, por duke qenë se investimi ishte kryer, kjo bankë do të lëvronte të tjera fonde për të riparuar problemet. Denoncimi për këto parametra u krye pranë BB-së nga disa qytetarë të Vlorës dhe nga shoqata ambientaliste. Edhe në këtë rast problemet nuk munguan, por ajo çka bie në sy është fakti se ky është rasti i tretë kur nga denoncimet spontane të njerëzve “dalin lakrat” e abuzimeve të BB-së në projektet e zbatuara në vendin tonë. Në asnjë rast përfaqësia e BB-së në Tiranë apo qeveria shqiptare (si palë në këto projekte) nuk kanë evidentuar problemet, por përkundrazi, janë bërë pjesë e skandalit sa herë që auditi (Paneli i Inspektimit) në Uashington ka bërë publike shkeljet.
Jala
Për herë të parë pas tre vitesh, Banka Botërore ka pohuar gabimin që është bërë në miratimin e z. Jamarbër Malltezi në pozicionin e koordinatorit të projektit mbi bregdetin e Jugut. Ky projekt u investigua nga Paneli i Inspektimit të kësaj banke dhe në Shqipoëri ngjarja shkaktoi një skandal financiar dhe nepotik. Pasi vetë krerët e kësaj banke në Uashington i njohën shkeljet e projektit, përfaqësia e kësaj banke në Tiranë pranoi rolin e saj negativ dhe në kundërshtim me rregullat që banka zbaton në projekte të ngjashme. Matrapikët që prishën banesat në Jalë kanë qenë të urdhëruar nga qeveria shqiptare, dhe konkretisht nga njësia që drejtohej nga dhëndri i kryeministrit, dhe jo nga Banka Botërore. Ky fakt është pohuar nga përfaqësuesja e Bankës në Tiranë, Kamila Naumah (Camille Naumah), e cila ka bërë të qartë edhe një herë gjashtë gabimet që janë kryer në zbatimin e projektit, ku njëri prej tyre ishte edhe pranimi si koordinator të projektit të dhëndrit të kryeministrit Berisha. Ajo ka deklaruar se “prishja e objekteve në Jalë nuk ka qenë e autorizuar nga Banka Botërore”, duke mos pranuar asnjë pyetje të drejtpërdrejtë nga gazetarët gjatë këtij prononcimi. Për herë të parë grupi i menaxherëve, përmes zonjës Naumah, ka sqaruar detajin se kur Banka Botërore ka kërkuar për të bërë një moratorium me qeverinë për prishjen e ndërtimeve pa leje, në shkurt-mars 2005, një gjë e tillë është kundërshtuar nga qeveria e asaj kohe, gjë që ka krijuar boshllëk në “marrëveshjen” mes palëve, e cila përfundoi me të ashtuquajturin skandal disa vite më vonë.
Skandalet
Projektet e Bankës Botërore nuk kanë qenë kurrë objekt i punës së Prokurorisë shqiptare. Megjithatë, ky fakt nuk ka penguar median që herë pas here, në harkun e 10 viteve të fundit, të ngrejë pikëpyetje lidhur me disa projekte miliardere që Banka i ka zhvilluar në bashkëpunim me qeveritë shqiptare. Shumë ish-zyrtarë të ministrive kanë pohuar “nën zë” para gazetarëve se shumë projekte të iniciuara dhe të financuara nga Banka Botërore në Shqipëri kanë pikëpyetje të mëdha. Megjithatë, deri këtu ka mundur të shkojë filli i gjithçkaje. Ndjeshmëria ndaj fatit të këtyre projekteve u bë më e prekshme rreth katër vite më parë, në vitin 2005, kur vetë filiali i Bankës Botërore në Tiranë, nëpërmjet një zyre të tij, penalizoi disa firma shqiptare që kjo bankë i kishte pajtuar për një projekt prej 140 milionë dollarësh për kanalizimet në bujqësi. Megjithëse realizimi i këtij projekti linte shumë për të dëshiruar, në fund të historisë u penalizuan vetëm disa kontraktorë privatë, por asnjë zyrtar i BB-së apo i zyrave qeveritare shqiptare, që si rregull mbanin përgjegjësi për mbarëvajtjen e projektit.

TEC-i i Vlorës, bordi i BB-së pranon sërish shkeljet e bëra në Shqipëri

Në maj 2007, Paneli i Inspektimit mori një kërkesë për inspektim nga Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës në emër të banorëve të Vlorës. Kërkesa ngrinte një sërë shqetësimesh mjedisore, sociale, kulturore dhe ekonomike, që lidheshin me projektin siç ishte hartuar. Në të citoheshin shqetësime se projekti do të “…shkatërronte mjedisin, turizmin, zonat e sigurta për peshkim, habitatin natyror, ekosistemin, kolonitë koralore, si dhe vlerat unike historike dhe kulturore të gjithë Gjirit të Vlorës dhe Lagunës së Nartës”. Në raportin e vet, Paneli i Inspektimit vë në dukje rëndësinë e projektit për përmbushjen e nevojave të Shqipërisë për energji elektrike. Megjithatë, Paneli konkludoi se Banka Botërore nuk kishte respektuar disa dispozita të politikave të Bankës në lidhje me vlerësimin e projektit, vlerësimin mjedisor, menaxhimin e pasurive kulturore dhe vlerësimin ekonomik. Gjithashtu, Paneli konstatoi mangësi të ndjeshme në përmbushjen e kërkesave të politikave të Bankës për konsultimet. Megjithatë, Paneli i Inspektimit pranon se termocentrali tashmë është ndërtuar dhe vëmendja duhet drejtuar te funksionimi i tij në të ardhmen.
Verner Kiene, kryetari i Panelit të Inspektimit, vuri në dukje: “Përsa i takon së ardhmes Paneli shpreh kënaqësinë që ekipi menaxhues pajtohet me nevojën për një plan të detajuar për reagimin ndaj derdhjeve të naftës përpara se termocentrali të vihet plotësisht në punë. Është e nevojshme të sigurohet sa më parë blerja pa vonesë e pajisjes së nevojshme, si dhe të ndihmohen autoritetet shqiptare për të ngritur strukturat e duhura, për të bërë të mundur një reagim të shpejtë ndaj rrjedhjeve të mundshme të naftës, që mund të kërcënonin Gjirin e Vlorës dhe industrinë e turizmit atje. Paneli konstaton se Banka ka punuar ngushtë me qeverinë në hartimin e ligjit për planifikimin e territorit dhe shpreh kënaqësinë që ekipi menaxhues njeh nevojën e një planifikimi të përgjithshëm për Gjirin e Vlorës”.

Abuzime edhe në donacionet e BB-së për bujqësinë

Raporti i KLSH-së për kanalet ujitëse dhe rrugët dytësore të ndërtuara nëpërmjet donacioneve të huaja ka nxjerrë në pah një sërë abuzimesh me këto projekte. Në konkluzionet e këtij raporti theksohet se ndonëse në disa kanale ujitëse janë investuar miliona dollarë, në inventarët e Ministrisë së Bujqësisë nuk janë ndryshuar bilancet dhe objektet ku është bërë investimi rezultojnë si në gjendjen e para-investimit. “Nga kontrolli lidhur me administrimin e veprave të dorëzuara për fazën e tretë të projektit u konstatua se objektet e rehabilituara nga projekti janë në inventarët dhe nën administrimin e Drejtorisë së Bordeve të Kullimit me vlerën fillestare të tyre dhe mbas investimeve të kryera nga projekti në kontabilitetin e MBUK-së nuk është shtuar vlera e investimit të kryer në to, në kundërshtim me Ligjin Nr. 7661, datë 19.01.1998 “Për kontabilitetin”. Për përmirësimin e gjendjes në të ardhmen nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit u rekomanduan masa organizative dhe zhdëmtimi për zbatim”, - thekson raporti i KLSH-së. Në lidhje me projektet për kanalizimet të administruara nga Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim, problem konstant kanë qenë fondet e lëvruara për firmat që do të bënin auditimin e punimeve të financuara. Kanë qenë rreth 300 mijë dollarë fondet për zgjedhjen e firmave supervizuese, por sikurse rezulton dhe në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, mënyra se si janë zgjedhur subjektet që do të kryenin këto supervizime është krejtësisht në kundërshtim me ligjet, madje ka pasur vetëm katër kompani të favorizuara që sipas KLSH-së kanë operuar në supervizim. “Pagesat për kontratat e shërbimit të supervizionit për vitet 2006 dhe 2007 janë në vlerën 32 milionë e 482 mijë e 796 lekë. E njëjta procedurë është ndjekur për shërbimin e supervizionit për vitin 2007 dhe 2008. Duke vlerësuar hapat e mësipërm konstatojmë se procedurat e mësipërme nuk u përmbahen marrëveshjeve me donatorët e projektit, të cilat në seksionin 3 të marrëveshjes së lidhur me Bankën Botërore ‘Prokurimet’, përcaktojnë format e prokurimit, bazuar në udhëzuesit e Bankës Botërore. Gjithashtu nuk i referohen as legjislacionit shqiptar, Neni 1, i Ligjit nr. 7971, datë 26.7.1995 ‘Për prokurimin publik’ (i ndryshuar) dhe vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave, të cilat përcaktojnë rregullat për prokurimet e mallrave, të ndërtimeve dhe të shërbimeve, duke e kthyer procesin e mësipërm në jotransparent, i cili nuk siguron trajtim të barabartë mes pjesëmarrësve, si dhe nuk siguron ndershmëri dhe besim publik për fondet në dispozicion. Grupimi në katër kompani i shërbimit të supervizionit i të gjithë kontratave të punimeve civile, për vitin 2006, me vlerë 1 647 788 lekë, ku minimalisht duhet të supervizionojnë 20 kontrata secili në të gjithë vendin, është pothuajse i pamundur nga ana teknike realizimi i shërbimit”, - përcakton raporti i KLSH-së.

26 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›