E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet kapiteni i peshkarexhes qe tentoi te trafikonte 30 klandestine ne Itali



Albert Gjoka

DURRËS – Një nga organizatorët kryesorë të trafikut të klandestinëve me peshkarexhë në drejtim të Italisë është prangosur në shtetin fqinj pas tre vjetësh kërkimi. Falë bashkëpunimit me autoritetet policore italiane, është bërë e mundur kapja e tij dhe vënia përballë akuzës para Drejtësisë shqiptare. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se Interpol Roma ka ndaluar shtetasin Nexhat Koçi, ndaj të cilit gjykata ka dhënë masën e arrestit “burg pa afat” për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit. 45-vjeçari Koçi, lindur dhe banues në lagjen Nr. 2 të qytetit bregdetar ka qenë kapiten i anijes “Relado 1”, e cila është kapur mbrëmjen e 7 korrikut të vitit 2006 me 30 persona në bord, të cilët tentonin të kalonin në mënyrë ilegale në Itali.
Arrestimi
Merr fund jeta në liri për shtetasin Nexhat Koçi, i cili ishte përfshirë në një rrjet trafiku klandestinësh drejt Italisë në vitin 2006. Ai ishte shpallur në kërkim nga Drejtësia, pasi në tetor të po atij viti, ishte lëshuar një urdhër-ndalimi nga Prokuroria e rrethit të Durrësit. Që prej asaj kohe, kapiteni i peshkarexhës, “Realdo 1” ishte larguar nga Shqipëria dhe qëndronte si emigrant ilegal në Itali. Por, policia e ka vënë në ndjekje, duke kërkuar bashkëpunimin me policitë e vendeve fqinje. Ditët e fundit, axhendat e Interpol Romës kanë identifikuar dhe më pas kanë ndaluar të kërkuarin nga Policia shqiptare. Pas arrestimit ai u është dërguar me linjën e avionit “Romë-Rinas” autoriteteve policore shqiptare mesditën e së premtes.
Akuza
Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë është bërë ekzekutimi i Urdhrit të Prokurorisë së Durrësit për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg në mungesë” për shtetasin Nexhat Beshir Koçi. Me vendimin e mësipërm është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg” si autor i veprës penale “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”. Burimet policore sqarojnë se më datë 07 korrik 2006, rreth orës 23:30, shtetasi Nexhat Koçi, në bashkëpunim me Gentian Kadillarin, Anton Kabalin etj., ka vënë në dispozicion të rreth 30 shtetasve, banorë të rretheve të ndryshme të vendit, peshkarexhën “Realdo 1”, duke ndihmuar në kalimin e paligjshëm të tyre për në Itali. Nexhat Koçi ka qenë kapiten i kësaj peshkarexhe. Ky shtetas është shpallur në kërkim që më datë 3 tetor 2006 nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit. Ndaj shtetasit Beshir Koçi kanë nisur procedurat e mëtejshme nga prokuroria në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Zbulohet grabitja me armë në Rrugën e Dibrës

TIRANË - Një grabitje e ndodhur në Rrugën e Dibrës, ku u plaçkit një dyqan celularësh, është zbardhur pas më shumë se katër vjetësh. Burime zyrtare nga Seksioni kundër vjedhjeve me dhunë/armë dhe shkatërrimit të pronës në Policinë e Tiranës pohojnë se kanë arritur të zbardhin ngjarjen e ndodhur më 18 qershor 2005 në Rrugën e Dibrës, në kryeqytet, ku është vjedhur me armë dyqani i celularëve, në pronësi të shtetases Yllka C., banuese në kryeqytet. Nga hetimet e kryera, Prokuroria e Rrethit Tiranë ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Romario Sulejmani, 21-vjeçar, banues në rrugën “5 Maji”. Burimet nga Prokuroria thanë se Sulejmani rezulton se është autor i ngjarjes së ndodhur mbi katër vjet më parë, kur ai ka qenë vetëm 17 vjeç. Tani i riu përballet me akuzën për veprën penale të “vjedhjes me armë” dhe çështja në ngarkim të tij i ka kaluar Prokurorisë së rrethit.

Ekspertiza: Aksidenti me katër të vdekur, nga parakalimi i gabuar

TIRANË - Policia e Tiranës përfundoi dje ekspertizën mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur dy ditë më parë në afërsi të Prezës, ku gjetën vdekjen 4 persona dhe u plagosën rëndë dy të tjerë nga përplasja e dy mjeteve. Burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit bëjnë të ditur se shkak ka qenë një parakalim i gabuar i makinës tip “Benz” me targa Laçi, në të cilën ndodheshin shtetasit Jani Doda dhe Genti Popa.
Automjeti i drejtues prej Jani Dodës ka hyrë me nxitur në parakalim pa parë makinën me targa të Kosovës, e cila po vinte përballë. Kjo përplasje ka qenë fatale për të gjithë udhëtarët e mjetit tip Golf me targa kosovare, të cilët gjetën vdekjen. Burimet thonë se ka qenë e pamundur për tu shmangur aksidenti edhe për faktin se ka qenë terren i rrëshqitshëm prej reshjeve të shiut. Ekspertiza ka nxjerrë jo pa faj edhe drejtuesin e mjetit “Golf”, pasi po lëvizte me dritat e përparme të shuara, duke bërë të vështirë dallimin nga mjeti përballë. Ndërkohë, kanë nisur hetimet për autorin e mjetit tip “Benz”, shtetasin Jani Dode, i cili ndodhet i shtruar në spital si pasojë e plagëve të marra.

26 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›