Vlorë, dekania e zv.rektorja përplasen në prokurori
VLORË – Nga e denoncuar kthehet në denoncuese zv.rektorja e universitetit «Ismail Qemali» Pranvera Resulaj. Pas marrjes së vendimit nga prokuroria për pushimin e çështjes së ngritur ndaj saj, Resulaj nuk ngurroi të dalë para medieve për t’u shprehur se ishte e bindur për pafajësinë e saj dhe se tashmë do të ngrinte një kallëzim penal për shpifje ndaj dekanes së Fakultetit të Ekonomisë, Arta Musaraj. Kjo e fundit, është personi i cili kishte bërë më parë padinë për Resulajn, padi që e bëri prokurorinë të hapte dosjen penale për «falsifikim të dokumenteve zyrtare».
Deklarata
Zv.rektorja e universitetit, Pranvera Resulaj, u shpreh dje pasdite në një konferencë për shtyp se sapo kishte marrë vendimin për pushimin e çështjes penale të ngritur ndaj saj. Ajo deklaroi se e kishte ndjekur personalisht çështjen dhe se kishte qenë «e interesuar që çështja të zbardhej». Sipas Resulajt, akti i ekspertimit të listë-notave të saj (për të cilin akuzohej se e kishte falsifikuar), kishte rezultuar se ishte një dokument «tërësisht origjinal» dhe se nuk kishte pasur ndërhyrje mekanike. Zv.rektorja tha se ishte e vendosur që t’i jepej përgjigje zyrtarisht këtij procesi dhe se do t’i shkonte atij deri në fund për të vërtetuar origjinalitetin. «Do të këmbëngul që gjithçka të zgjidhet brenda kuadrit ligjor», u shpreh ajo, «dhe bëj me dije se pas kësaj do t’i drejtohem procedimit penal për kallëzim të rremë dhe për përdorim të dokumenteve të paautorizuara dhe procesit civil për shpifje dhe cënim të imazhit». Të gjitha këto akuza do të drejtohen për personin që guxoi të padiste Resulaj, dekanen e Fakultetit të Ekonomisë Arta Musarajn. Sot pritet që Resulaj t’i drejtohet prokurorisë për dorëzimin e padive.
Kallëzimi i një muaji më parë
Dekania e Fakultetit të Ekonomisë në universitetin “Ismail Qemali”, Arta Musaraj, depozitoi më 8 shtator të këtij viti një kallëzim penal për zv.rektoren e këtij universiteti, Pranvera Resulajn. Musaraj u shpreh atëherë se i ishte drejtuar organit të prokurorisë për të denoncuar një falsifikim të kryer nga numri dy i Universitetit të Vlorës. Së bashku me dokumentacionet përkatëse, që, siç mësohet, janë pjesë e dosjes personale të Resulajt, dekania kreu procedurat ligjore pranë sekretarisë së prokurorisë së rrethit. Dekania Musaraj deklaroi atëkohë se shkelje të tjera do të ishin në vijimësi objekt i denoncimeve.