Varroset në beton varri antik i Ksamilit
SARANDË - Para pak kohësh, nga pronarët e një banese që po ngrihej u deklarua se duke gërmuar përhapjen e themeleve, u ndeshën në një bllok muresh që për nga pamja tërhiqnin vëmendjen për një ndërtim antik. Sektori i arkeologjisë së shpëtimit pas këqyrjes u shpreh se gjetja rastësore bënte fjalë për një varr antik, i ruajtur nën tokë në gjendje të mirë. Arkeologët shpallën në mediet lokale se në Ksamil ishte gjetur një varr antik i datuar në shekujt e II-I p.e.s, aty ku edhe më parë gjatë punimeve për tarracimin e Ksamilit ishin hasur qeramikë e objekte të tjera që provonin se prapatoka e Butrintit ishte një vend i banuar. Dokumentimi i Varrit, objekteve të gjetura aty, si dhe saktësimi i mëtejshëm shkencor i tij u la për një periudhë të mëvonshme. Por, pronarët e truallit, edhe pse në kushtet e ndërtimit pa leje, nuk kanë vonuar të vazhdojnë punimet për ndërtimin e banesës. Ata u shprehën se “arkeologët erdhën, e panë dhe nuk na thanë se si të vepronim. Ne kishim porositur betonieren dhe nuk mund të prisnim sa të vinin përsëriarkeologët”. Në drejtorinë rajonale të monumenteve shprehen se “kemi lajmëruar arkeologjinë e shpëtimit në Institutin e Arkeologjisë dhe ende nuk kemi asnjë dijeni”. Në pritje tëveprimit të këtij institucioni, varri antik i zbuluar në Ksamil u betonua. Siç ndodh shpesh edhe në këtë rast, dëmtimi i objektit me vlera historike do të kalojë si një konstatim i rastit, pavarësisht se ligji “Për mbrojtjen e trashëgimisë Kulturore” parashikon jo vetëm masat e mbrojtjes, por edhe gjobat për ata që dëmtojnë këtë pasuri. L.Sejdini