E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka: “Jam i hapur të bashkëpunoj me PD-në në rast se nuk krijohet poli i tretë”



“Ne do të presim miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për të vendosur më tej format e bashkëpunimit dhe me kë do të bashkëpunojmë. Kjo për faktin se janë disa variante për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Nëse do të ketë ndarje në 6 rajone të vendit, ne mund të futemi të vetëm në zgjedhje. Por gjithashtu mund të bashkëpunojmë me LSI-në dhe të krijojmë polin e tretë në politikën shqiptare, çka e shoh si një lëvizje shumë pozitive. Dhe e fundit është bashkëpunimi me një parti të madhe dhe PAD-ja si parti e qendrës është e hapur të bashkëpunojë dhe me Partinë Demokratike. Gjithmonë kushti është që ne të marrim pjesë në garë. Pra nuk do të pranojmë një marrëveshje ku garantohen dy apo dhe katër poste në Kuvend, por do të kërkojmë pjesëmarrje të ndershme në garën elektorale. Megjithatë, mund të them se deri tani jemi më shumë për bashkëpunim me LSI-në dhe për krijimin e polit të tretë, pasi kemi një histori suksesi të bashkëpunimit tonë me LSI-në në zgjedhjet që u mbajtën në Kashar”, - është shprehur kryetari i PAD-së, Neritan Ceka.

Ndoka: “Koalicioni i djathtë është konfuz, PD-ja vazhdon sulmin ndaj PDK-së”

“Kampi i djathtë realisht është mjaft konfuz në këto momente, edhe lufta që Partia Demokratike ka bërë ndaj Partisë Demokristiane, dhe akoma vazhdojnë të bëjnë në radhët e kësaj partie, e bën akoma më të vështirë dhe më të komplikuar koalicionin në një kamp të djathtë ose frymën e mirëkuptimit brenda partive të djathta. Ne jemi duke pritur miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Të shohim njëherë propozimet dhe më pas do të vendosim dhe bashkëpunimin e ardhshëm. Pra në varësi të Kodit do të shikojmë për nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit. Në rast se Kodi nuk do t’i favorizojë partitë e vogla, ne do të shikojmë ndryshimin e aleancave. Ne nuk përjashtojmë bashkëpunimin dhe me partinë Lëvizja Socialiste për Integrim në rast se ky bashkëpunim rezulton më i suksesshmi për Partinë Demokristiane”, - është shprehur kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka.

27 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›