PS: Korrupsioni dhe trafiqet kanë përfshirë të gjithë shtetin
Partia Socialiste ka reaguar pas skandalit më të fundit në përfaqësinë diplomatike të vendit tonë në Itali, ku shoferi i ambasadës u arrestua pasi iu gjendën sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike. PS-ja, me anë të një deklarate për shtyp, e ka cilësuar këtë akt si shprehjen më domethënëse se korrupsioni dhe trafiqet kanë kapur të gjitha strukturat shtetërore. “Ky akt i dënueshëm nxjerr edhe një herë në pah korrupsionin që ka përfshirë tërë strukturat e shtetit dhe rikonfirmon vërtetësinë e kritikave të përsëritura në vazhdimësi nga PSSH për emërimet në diplomaci të personelit diplomatik dhe teknik, përfshirjen në shërbimin diplomatik të personave me tendenca të tilla kriminale dhe lidhje të ngushta nepotike me drejtuesit më të lartë të qeverisë, mungesën e instrumenteve verifikuese për personelin e përfaqësive tona jashtë, si dhe mungesën e përgjegjësisë në politikat e kuadrit që ndiqen. Partia Socialiste e Shqipërisë i kujton opinionit publik që gjatë qeverisjes së parë të Berishës, persona, deri në nivel ambasadorësh, janë shpallur non grata për përfshirje në trafiqe të paligjshme nga shtetet që aktualisht janë anëtare të BE-së”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Partisë Socialiste.
27 Gusht 2008