E Diel, 1 Nëntor 2026

Vonesat në legalizime vënë në pikëpyetje procesin e zgjedhjeve

Kreu i Bashkisë së Tiranës, letër kryetarëve të 11 njësive bashkiake. Kërkesa e Ministrisë së Brendshme bie ndesh me procesin e legalizimeve

Shaban Sulçe
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i vjen në ndihmë ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. Kreu i Bashkisë së kryeqytetit u ka kërkuar llogari kryetarëve të 11 njësive bashkiake të Tiranës për të çuar deri në fund projektin “LAMP”, të vënë në zbatim nga Ministria e Brendshme. Në letrën dërguar krerëve të 11 minibashkive, Rama kërkon prej tyre që t’u përgjigjen deri në fund kërkesave të këtij projekti, që ka të bëjë me kompletimin e sistemit të adresave në këto njësi. Letra e Ramës pason atë të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, i cili kërkon nga njësitë bashkiake të kryeqytetit po të njëjtën gjë. Megjithatë, kërkesa e Ministrisë së Brendshme, e cila është mbështetur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, duket se bie ndesh me dy procese të rëndësishme, procesin e prodhimit të kartave të identitetit dhe procesin e legalizimeve. Sipas ligjit, sistemi adresor duhet të ishte kompletuar në vend para përfundimit dhe shpalljes së tenderit për prodhimin e kartave të identitetit, pasi vendosja e adresës së saktë të personit në kartën e identitetit është e domosdoshme. Një tjetër problem është ai i procesit të legalizimeve, që siç dihet, ende nuk ka përfunduar. Kompletimi i sistemit adresor, që kërkohet nga Ministria e Brendshme, s’mund të realizohet për sa kohë me mijëra hektarë tokë dhe ndërtesa informale mbi to në kryeqytet ende nuk janë legalizuar. Përcaktimi i emrave të rrugëve dhe numrat e godinave s’mund të përcaktohen në këto sipërfaqe të palegalizuara, gjë që theksohet edhe në ligjin “Për adresat” dhe Ligjin “Për legalizimet”.
Rama
Në letrën që kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama u ka dërguar kryetarëve të 12 njësive bashkiake në kryeqytet thuhet si më poshtë: “Ju bëjmë me dije se projekti ‘LAMP’ pranë Ministrisë së Brendshme ka filluar punën për implementimin e sistemit të adresave në qytetin e Tiranës. Në kuadër të këtij projekti kërkohen informacione të hollësishme dhe hartat përkatëse në lidhje me: A është miratuar në Këshillin Bashkiak sistemi i adresave sipas përcaktimeve të nenit 29-31 të Ligjit numër 9270, datë 29.07.2004 ‘Për sistemin e Adresave’? A është përfunduar sistemi i adresimit të të gjitha bulevardeve, rrugëve/rrugëve të brendshme, shesheve e parqeve, si dhe numërimi i të gjitha ndërtesave të reja, brenda territorit në juridiksionin e njësisë tuaj? A ka përfunduar regjistrimi i plotë i sistemit të adresave, apo është në proces? Sa është numri i tabelave, i ndarë sipas kategorive të përcaktuara në VKM 446, datë 05.03.2008 ‘Për përcaktimin e specifikimeve teknike të tabelave të emërtimit të parqeve, shesheve, bulevardeve e rrugëve dhe të numërtimit të ndërtesave’? Do të vlerësonim angazhimin tuaj për të dorëzuar informacionin e kërkuar brenda muajit gusht, në mënyrë që të garantohet realizimi i projektit”.
Nishani
Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u ka dërguar një shkresë të gjithë kryetarëve të minibashkive në Tiranë. Në këtë shkresë, ministri Nishani u kërkon 12 kryetarëve të njësive bashkiake në kryeqytet që të angazhohen për të përfunduar procesin e hartimit të sistemit të adresave. “Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 332, datë 12.03.2008 ‘Për përcaktimin e rregullave të përgjithshme për ruajtjen dhe administrimin e informacionit hartografik ajror, dixhital, i territorit të Republikës së Shqipërisë’, Ministria e Brendshme vë në dispozicionin tuaj informacionin hartografik të territorit të njësive vendore që ju drejtoni, për ta përdorur për krijimin dhe implementimin e Sistemit të Adresave. Ministria e Brendshme ju kujton edhe njëherë që vonesat në krijimin e Sistemit të Adresave dhe plotësimin e bazës së të dhënave, vënë në vështirësi realizimin e procesit dhe komprometojnë cilësinë e implementimit të këtij sistemi”, - thuhet në shkresën që ministri Nishani u ka dërguar kryetarëve të njësive bashkiake në kryeqytet.

27 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›