E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori Turk në Shkodër: solidarizohemi me situatën

Pas një takimi me prefektin e Shkodrës, Maxhit Cungu dhe shtabin e emergjencës, ambasadori turk u shpreh për mediat se, “Turqia dhe populli i saj e ka ndjekur me dhimbje dhe trishtim situatën e krijuar në Shkodër, dhe se jemi organizuar për shmangien e pasojave të asaj që ai e konsideroi ngjarje natyrore e cila nuk mund të parandalohet".

Duke folur për ndihmat e ofruara nga Turqia për këtë situatë, ambasadori turk u shpreh se, "krahas ndihmave zyrtare që mbërritën nga Ankaraja, me një avion të posaçëm ushtarak, edhe firmat turke që veprojnë në Shqipëri, ishin të gatshme për të ndihmuar dhe duhet thënë se një pjesë e tyre i kanë dërguar ndihmat përkatëse".

Vetëm ditën e sotme, Universiteti Epoka, një institucion turk i arsimit të lartë që operon në vendin tonë , ofroi për banorët e prekur nga përmbytja rreth 4.5 ton ndihma ushqimore dhe veshmbathje.

"Ne vërejmë se ka një organizim mjaft të mirë dhe në raste të fatkeqësive natyrore një gjë e tillë kërkohet gjë që është realizuar më së miri", vlerësoi ai.

Më pas, Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hasan S. Ashan ka zhvilluar një takim në Bashkinë e Shkodrës ku është pritur nga kryetari i saj Lorenc Luka. Pasi e ka informuar për situatën në territorin e bashkisë së Shkodrës, kryebashkiaku Luka ka falënderuar ambasadorin dhe shtetin turk për mbështetjen që po i japin komunitetit shkodran në këtë situatë të vështirë që po kalon.

Turqia e mbështeti Shqipërinë në situatën e rëndë të krijuar nga përmbytjet në zonën e Shkodrës me ndihma të cilat konsistuan në 20 elektropompa, që shërbyen për thithjen e ujit, veçanërisht nga zonat brenda qytetit si dhe ushqime, veshmbathje, pajisje mjekësore dhe medikamente në sasi të konsiderueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›