E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS, sot publikohet dosja e përmbytjeve

TIRANE-Drejtuesit socialistë kanë përgatitur të publikojnë sot, në një mbledhje të Asamblesë Kombëtare, fakte dhe prova, që sipas tyre tregojnë korrupsionin qeveritar me energjinë elektrike dhe shkaktarët e vërtetë të përmbytjes së Shkodrës. Nga PS-ja mësohet se gjithçka është bërë gati në dosje, dhe pritet që ekspertë të PS-së të vërtetojnë se prodhimi i energjisë gjatë muajit nëntor u mbajt qëllimisht i ulët, ndërsa importi i saj i lartë. Po kështu, në bazë të materialeve që PS-ja ka siguruar, pretendon të vërtetojë që çmimi i energjisë u rrit që në momentin që në treg hyri 'Rednap', kompania e Damir Fazlliç. Nga ana tjetër, ashtu sikurse e kanë bërë publike ditët e fundit, PS-ja mendon të vërtetojë se Korporata Elektroenergjetike e Kosovës, në mënyrë të herëpashershme i ka dhënë energji Shqipërisë, pavarësisht se kaskadat e hidrocentraleve tona kanë qenë të mbushura drejt kuotave maksimale. Fierza nuk vihej në punë, edhe pse kuotat po arrinin në 290 metra, nivel kur duhej që të kishte filluar edhe procesi i shkarkimeve. Të gjitha këto pretendime publike të PS-së pritet që të vërtetohen sot, me dokumente të cilat ekspertët socialistë i kanë siguruar nga burime shtetërore. Qëllimi i socialistëve është që të bëjnë publike këto prova, sipas tyre, të cilat mund edhe të zhduken nga palët e përfshira në katastrofën e janarit në Shkodër, ndërkohë që Prokurorisë i kanë bërë thirrje të nisë hetimet e thella për vënien para Drejtësisë të shkaktarëve të përmbytjes. Drejtësia Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së ishte menduar të bëhej një javë më parë, por është shtyrë për shkak të përmbytjeve në Shkodër. Tema e kësaj mbledhjeje nuk ka të bëjë aspak me punën organizative të PS-së, por është menduar të trajtojë probleme që kanë të bëjnë me demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Një grup pune i drejtuar nga sekretari socialist për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, si dhe deputetët Ilir Gjoni, Damian Gjiknuri, Sajmir Tahiri, Ditmir Bushati, Fatmir Toçi dhe Armando Subashi, do të paraqesin në këtë Asamble ekspertizën e tyre rreth çështjeve të korrupsionit, gjyqësorit, zgjedhjeve, marrëdhënieve të parlamentit, funksionimit të institucioneve kushtetuese, mediave, etj. Në fund, Asambleja pritet që të miratojë edhe një rezolutë e cila do të përbëjë ofertën e PS-së për daljen nga kriza, duke i lënë maxhorancës hapësirë të reflektojë mbi të. Ndërkaq, pritet që në një moment, prej deputetëve të LMN-së të ketë ndonjë ndërhyrje për të marrë mendimin e këtij forumi për hyrjen në Kuvend, ndërkohë që po afron edhe afati që sipas ligjit djeg mandatet e deputetëve socialistë, të marra nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Megjithatë, nuk dihet se sa do të realizohet kjo, pasi rendi i ditës është tashmë i përcaktuar vetëm për çështjet e mësipërme. Harasani:Asambleja të jetë mbledhje PS-je, jo OJQ-jeDeputetët për mendimin ndryshe në PS pritet të jenë të pranishëm sot, në mbledhjen e Asamblesë Socialiste. Ata do të shprehin vërejtjet për mënyrën se si ka funksionuar deri tani kjo parti, e cila sipas deklaratave të tyre publike, "është kthyer në një OJQ". Megjithëse kjo mbledhje e Asamblesë i është dedikuar problemeve të drejtësisë, shtetit ligjor dhe korrupsionit, ashtu sikurse do të flitet edhe për fakte e prova që tregojnë si ndodhi përmbytja e Shkodrës, këta deputetë do të gjejnë mundësinë për të paraqitur mendimet e tyre. I kontaktuar nga "Gazeta Shqiptare", deputeti Andis Harasani tha dje se, "do të jemi në Asamble dhe do të kërkojmë të ndodhë ajo që nuk ka ndodhur prej kohësh, që prej qershorit të 2009; të respektohet statuti i PS-së". (d.b/GSH/BalanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›