E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori Uidhers takohet me Ramën, flitet për çështjet e nxehta të politikës



Shaban Sulçe

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhers, ka zhvilluar dje një takim kokë më kokë me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Takimi u zhvillua në selinë rozë, zgjati për 30 minuta dhe u zhvillua pa praninë e medias. Madje edhe në përfundim të këtij takimi, si ambasadori Uidhers, ashtu dhe kreu i PS-së Edi Rama, nuk bënë asnjë prononcim për mediat. Burimet zyrtare të Partisë Socialiste nuk dhanë asnjë prononcim zyrtar rreth temave ku u përqendrua biseda midis Ramës dhe Uidhersit. Ato bënë të ditur vetëm se ambasadori amerikan, përveçse u takua me kreun e PS-së, Edi Rama, zhvilloi takime edhe me disa sekretarë të Partisë Socialiste.
Takimi
Burime pranë Partisë Socialiste bënë të ditur se temat kryesore të bisedave midis Ramës dhe ambasadorit Uidhers kishin të bënin me argumentet kryesore të politikës në vend. Ky takim, që është zhvilluar në prag të hapjes së sesionit të ri parlamentar, ka pasur në vëmendje bisedat për reformën në Drejtësi, reformën zgjedhore dhe ligjin për pastërtinë e figurave.
Burime nga selia rozë bënë të ditur se mes Ramës dhe diplomatit të lartë amerikan është folur pikërisht për këto reforma dhe se kryetari i Partisë Socialiste i ka bërë të qartë ambasadorit Uidhers se partia e tij në asnjë mënyrë dhe rrethanë nuk do të bëhet pjesë e reformave gjysmake, që dëmtojnë progresin e vendit dhe standardet demokratike, porse PS-ja është e vendosur të mbështesë dhe kontribuojë në reformat e mëdha që i duhen vendit. Biseda mësohet të jetë përqendruar edhe te debati i çelur për ligjin e ri të Prokurorisë, ku Rama ka shprehur qëndrimin e Partisë Socialiste, që nuk do të pranojnë asnjë ligj që dëmton pavarësinë e Prokurorisë.
Por ndoshta kjo është një nga arsyet që Rama, menjëherë pas takimit me Xhon Uidhers, drekoi me shefin e Komisionit Europian në Shqipëri, Lohan.
Ambasadori
Zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Tiranë, në një njoftim për mediat, bëri të ditur se ambasadori Xhon Uidhers, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka nisur një fushatë takimesh me liderët e politikës shqiptare për t’u informuar për situatën aktuale në vend. Përpara se të takohej me Ramën, ambasadori Uidhers është takuar edhe me Presidentin e Republikës Bamir Topi si dhe me kryeministrin Sali Berisha. Ky nuk është takimi i parë që Ambasada Amerikane realizon me politikën shqiptare. Diplomacia amerikane ka qenë shumë aktive në çështje të rëndësishme të Shqipërisë. Mbështetja e saj në zgjidhjen e ngërçeve politike apo ndihma që i ka dhënë shtetit shqiptar për probleme kritike ka qenë gjithmonë prezente. Takimi i fundit zyrtar i ndërmarrë nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë ka qenë më datë 3 shtator mes zëdhënësit të Ambasadës Amerikane, Biks Aliu me kryetaren e KKRT-së, Mesila Doda. Në këtë takim zëdhënësi i Ambasadës Amerikane u shpreh se Ambasada është shumë e ndjeshme ndaj çështjeve të lirisë së shtypit.

9 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›