E Diel, 1 Nëntor 2026

Romet në Shqipëri, letër shqiptarëve në SHBA: “Votoni për Obamën!”



Shaban Sulçe
Komuniteti egjiptian në Shqipëri pozicionohet politikisht në garën presidenciale për Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky komunitet, i cili është organizuar në shoqatën e quajtur “Unioni ballkano-egjiptian” u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe kanë të drejtë vote në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të votojnë për president kandidatin demokrat Barak Obama. Edhe pse ky union mbështet vlerat civile pa dallime fetare, racore dhe etnike, kërkesa për mbështetje ndaj Obamës duket se lidhet edhe me faktin se kandidati për president është me origjinë afrikane, ashtu edhe si përfaqësuesit e këtij komuniteti.
Konferenca
Kryetari i Unionit ballkano-egjiptian, Behar Sadiku, ka dalë dje në një konferencë të veçantë për shtyp. Teksa lexonte deklaratën që i drejtohej Ligës qytetare shqiptaro-amerikane të SHBA-ve, Këshillit Nacional shqiptaro-amerikan në SHBA dhe Lobit kosovaro-amerikan, në sfondin e paraqitjes së Sadikut ishin vendosur fotot e njerëzve simbol të historisë së SHBA-ve, Linkolni, Martin Luter King dhe Kenedit. Përkrah tyre ishte edhe kandidati demokrat për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, Barak Obama, për të cilin Unioni ballkano-egjiptian në Shqipëri ka kërkuar votën e të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sadiku e ka cilësuar Obamën si trashëgimtarin më të denjë të figurave të shquara të historisë amerikane.
Deklarata
Sot, në mijëvjeçarin e ri, bota moderne dhe e vlerave perëndimore mbështet globalizmin dhe vlerat më të mira mijëvjeçare të civilizimeve Lindore e Perëndimore pa dallime fetare, racore, etnike, gjeografike e politike.
Unioni ballkano-egjiptian fton: Ligën qytetare shqiptaro-amerikane të SHBA-ve, NAKUN (Këshillin Nacional shqiptaro-amerikan në SHBA dhe lobin kosovaro-amerikan të mbështesin liderin e ardhshëm për President të Shtëpisë së Bardhë, zotin BARAK OBAMA. Trashëguesin më të denjë dhe rigoroz të ideve të Abraham Linkolnit, Kenedit, për të bërë realitet misionin e përmasave të lirisë njerëzore të dr. Martin Luter King. Unioni ballkano-egjiptian bashkohet me nismën e Partisë Demokratike Amerikane, duke shpallur solidaritet ndaj ideve dhe platformës së kandidatit për president Barak Obama, për liritë dhe të drejtat e njeriut në mijëvjeçarin e ri në planetin tonë të përbashkët”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Unionit ballkano-egjiptian të Shqipërisë. Sipas këtij unioni, Obama meriton të zgjidhet president i SHBA-ve për shkak të imazhit të ri, të platformës bashkëkohore, vizionit që ai ka për të ardhmen e Amerikës dhe të globit, të Europës dhe Ballkanit Perëndimor. “Unioni ballkano-egjiptian me miqtë, simpatizantët,
gazetarët, diplomatët, qytetarët në mbarë trevat shqiptare dhe Komunitetin ballkano-egjiptian që të mbështesin dhe kontribuojnë për fitoren më të madhe të historisë mijëvjeçare, që në piramidën e lirive dhe të drejtave të njeriut të jetë një njeri afrikano-amerikan, i dërguari i Zotit”, - vijon deklarata e Unionit ballkano-egjiptian të Shqipërisë.
Apeli
Kryetari i Unionit ballkano-egjiptian, gjatë konferencës së tij për shtyp ka bërë edhe një apel për politikën shqiptare, duke e ftuar atë që të marrë si model zhvillimet demokratike dhe konventat konkurruese që po zhvillojnë Partia Republikane dhe Partia Demokratike në fushatën për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Subjektet politike dhe politika zyrtare shqiptare duhet të marrë model zhvillimet dhe konventat konkurruese që po zhvillohen në dy partitë më
të mëdha në Amerikë, Partia Republikane dhe Partia Demokratike”, - përfundoi deklaratën e tij kryetari i Unionit ballkano-egjiptian, Behar Sadiku

9 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›