E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha krenohet në grupin e PD-së me buxhetin 2009, Zogaj denoncon shkarkimet në rrethe



Deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, i ka kërkuar llogari kryeministrit Berisha gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar, për shkarkimin e disa drejtorëve në rrethin e Lezhës. Zogaj është shprehur se në rrethin e Lezhës janë shkarkuar disa nëpunës të agjencisë elektrike, me vendim nga drejtori i Përgjithshëm i KESH-it. Deputeti, ndër të tjera, ka vënë theksin se këta persona janë mbështetës të Partisë Demokratike dhe se i kanë organizuar fushatën zgjedhore Zogajt në vitin 2005. Po kështu, Zogaj ka denoncuar fenomenin e këtyre shkarkimeve me vendim nga Tirana pa u konsultuar me deputetin e zonës. Ndërkaq, kryeministri Berisha i ka premtuar Zogajt se do të interesohet për këtë çështje. Ai është shprehur se vendimet nuk merren me tendencë, por sipas Berishës duhet të respektohen dhe marrëveshjet me aleatët, duke nënkuptuar se disa poste do t’i jepen partive aleate.
Kryeministri Berisha, edhe gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar demokrat, ka vënë theksin në projektbuxhetin për vitin 2009. Gjatë fjalës së tij ai e ka cilësuar projektbuxhetin për vitin 2009 si më të madhin në historinë e vendit. Berisha tha se ky buxhet përbën dhe realizimin e premtimeve të programit qeveritar. Berisha tha se prioritare në këtë buxhet do të jenë arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura rrugore. Po kështu, ai vuri theksin në rritjen e pagave dhe të pensioneve. “Së pari, duhet t’ju bëj me dije se ky është buxheti më i madh në historinë e këtij vendi, rreth 1 miliard dollarë më shumë se ky që është në vazhdim. Ky buxhet i jep të gjitha mundësitë qeverisë sime të mbajë plotësisht premtimin e dhënë për 800 mijë familje shqiptare. Rritjen e pensioneve në fshat me 20%, rritjen e pensioneve në qytet me 10%, dyfishimin e rrogave të mësuesve, infermierëve, rritjen thelbësore të ndihmës ekonomike dhe rrogave të tjera, përveç atyre të larta”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu siguroi se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që pavarësisht se viti i ardhshëm është një vit zgjedhor, të mos ndikohet nga procesi zgjedhor dhe të mos pësojë lëkundje performanca financiare, si dhe performanca buxhetore. “Nuk ekziston sot një kryetar komune që t’i thotë sot kryeministrit të tij apo ministrit që për arsye partiake më keni bërë këtë padrejtësi. Sot ka kryetar komune që më shkruajnë dhe më thonë se nuk kemi marrë fondet që kemi pasur nevojë dhe kemi marrë pak, dhe kanë të drejtë, por këta nuk janë me ngjyra partiake dhe nuk do të jenë me ngjyra partiake. Jo, ne kemi vendosur këtë kulturë dhe do t’i përmbahemi kësaj kulture. Partitë janë parti, qytetarët janë qytetarë. Nevojat e tyre janë nevoja jetike. Kam kënaqësinë më të madhe. Kam sirena ankimesh nga demokratë, socialistë dhe përpiqemi t’i zgjidhim, por asnjëherë të një karakteri partiak”, - është shprehur kreu i Ekzekutivit.
E. Ballhysa

9 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›