LSI: Maxhoranca dhe Kuvendi po shmangin miratimin e Kodit Zgjedhor
Grupi parlamentar “E majta për integrim”, i udhëhequr nga LSI-ja, e ka nisur me kritika sesionin e ri parlamentar ndaj maxhorancës dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha se në kalendarin e punimeve të Kuvendit mungojnë disa prej çështjeve shumë të rëndësishme, siç është hartimi dhe miratimi në kohë i Kodit të ri Zgjedhor. “Ne, duke u bazuar dhe në programin që është shpërndarë nga Kryesia e Kuvendit, konstatojmë se projektligjet apo amendimet nuk u përgjigjen prioriteteve që ka Kuvendi i Shqipërisë, që ka qeveria shqiptare, në radhë të parë përsa i përket përgatitjes, sfidës së madhe të zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2009. Ne konstatojmë se hartimi dhe miratimi i Kodit Elektoral, i cili duhet të ishte një prioritet, nuk figuron në këtë kalendar. Pra, me sa duket, edhe muaji shtator do të kalojë pa realizuar këtë detyrim dhe angazhim të politikës shqiptare”, - tha Xhufi. Kreu i grupit parlamentar “E majta për integrim” dhe njëkohësisht zëvendëskryetari i LSI-së, përshëndeti futjen në kalendar të projektligjeve të propozuara nga LSI-ja, siç janë projektligji “Për statusin e minatorit”, apo ligji “Për kujdesin ndaj moshës së tretë”. Por Xhufi kritikoi gjithashtu shmangien nga kalendari i Kuvendit të kërkesës së LSI-së për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen e Gërdecit. “Por, me shumë shqetësim dhe keqardhje konstatojmë se kërkesa jonë e kahershme për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen e Gërdecit nuk është përfshirë në punimet e Kuvendit dhe ne do të protestojmë me forcë, sepse gjykojmë që çështja e Gërdecit dhe zbardhja e saj do të ishte fillimi i mbarë i këtij sezoni parlamentar dhe do të ishte një mënyrë për të zbardhur një çështje, e cila do të qëndrojë si shpata e Demokleut mbi politikën shqiptare, dhe në radhë të parë mbi qeverinë e zotit Berisha”, - tha Xhufi.
9 Shtator 2008