E Shtunë, 31 Tetor 2026

G99-a: “Në Shqipëri po rrezikohet fjala dhe media e lirë”



Lëvizja “G99” ka reaguar ndaj vendimit më të fundit të KKRT-së, e cila në mbledhjen e saj të djeshme nuk pranoi të rishikonte gjobat e vendosura ndaj dy televizioneve, News 24 dhe Vizion Plus. Aktivisti i G99-s, Maklen Misha, tha se KKRT-ja nuk duhet të anashkalonte ankimimin e bërë nga G99-a ndaj këtyre gjobave. Misha theksoi se kjo zvarritje është shprehje e qartë e institucionit të KKRT-së dhe qeverisë për të vijuar edhe më tej në planet e tyre për të goditur median dhe fjalën e lirë në Shqipëri.
“Ehe pse gjetën kohën të diskutojnë për çështje gjithfarësh, drejtuesit e këtij institucioni nuk e panë të arsyeshme të diskutojnë ankimimin që i kanë bërë kësaj gjobe G99-a dhe dy mediat në fjalë, gjë që për mendimin tonë është e pakuptueshme dhe e papranueshme, duke qenë se këtu flitet për një cenim mjaft të rrezikshëm të lirisë së fjalës dhe të shprehjes në Shqipëri. G99-a beson se kjo zvarritje nga ana e drejtuesve të këtij institucioni, që supozohet të jetë i pavarur, është e qëllimshme dhe tregon fare qartë se KKRT-ja aktualisht është shndërruar në një vegël të verbër në duart e qeverisë. G99-a për më tepër dëshiron t’i kujtojë opinionit publik shqiptar se gjoba e vendosur nga KKRT-ja, censurimi i spotit të G99-s dhe injorimi e heshtja që po e shoqërojnë këtë çështje, si nga ana e qeverisë, ashtu dhe nga ana e KKRT-së, përbëjnë një njollë turpi për një vend që pretendon të jetë demokratik e të ketë bërë progres në procesin e integrimit në BE. Dëshirojmë po ashtu t’i kujtojmë të gjithë opinionit publik shqiptar se ky nuk është tashmë thjesht problemi i një grupimi si G99-a, por është shndërruar në një betejë që shkon përtej interesave të një organizate. Kjo është një betejë, humbja e së cilës do të kishte pasoja mjaft të rënda e afatgjata për demokracinë shqiptare. Për sa më sipër ne i bëjmë thirrje KKRT-së që të mblidhet urgjentisht dhe të diskutojë çështjen e gjobave arbitrare ndaj News 24-s e Vizion Plusit, duke korrigjuar këtë vendim të padrejtë e kryekëput politik, që rrezikon ta çojë vendin në një situatë absurde ku i gjithë debati publik dominohet nga qeveria e mediat e kontrolluara prej saj”, - tha Misha.

9 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›