E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët kundërshtojnë ndërtimin e TEC-it në Porto Romano

Debate në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Hysa: “Shitja e tokës rrit të ardhurat e Damir Fazlliçit”

Socialistët kanë kundërshtuar dje në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese ndërtimin e TEC-it në Porto Romano. Deputeti i PS-së në këtë komision, Ndriçim Hysa, është shprehur kundër shitjes së tokës ku do të ndërtohet TEC-i, pasi kjo tokë ka pronar Damir Fazlliçin. Sipas tij, Fazlliçi e ka blerë këtë tokë me një çmim tejet të ulët, ndërkohë që për shkak të ndërtimit të TEC-it, vlera e saj është rritur disa herë. Hysa u shpreh se nëpërmjet shitjes së kësaj toke, Fazlliçi fiton një shumë të madhe parash dhe për këtë ai akuzoi qeverinë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, të pranishëm në Komision, janë shprehur se nuk është në kompetencat e tyre kjo çështje. Në Komision ka pasur debate edhe mbi pasojat mjedisore që sjell ndërtimi i këtij TEC-i, ndërkohë që përfaqësuesit e shoqatave ekologjike kërkuan një studim të pasojave që do të sjellë ndërtimi i TEC-it në mjedis.
Debatet
Deputeti i Partisë Socialiste, Ndriçim Hysa, është shprehur se toka që po i shitet kompanisë “ENEL” për të ndërtuar termocentralin figuron në emër të Damir Fazlliçit. Sipas tij, kjo tokë është blerë shumë pak nga Fazlliçi, tani ai po përfiton shumë duke ia shitur kësaj kompanie dhe patjetër qeveria ka gisht në këtë proces. Por sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë, Durim Kraja, i është përgjigjur se nuk është në kompetencat e Ministrisë që ai përfaqëson as shitja e tokës dhe as dhënia e tapisë. Të pranishëm në këtë debat kanë qenë edhe ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli dhe përfaqësues të Shoqatës Ekologjike. Ministri Xhuveli ka konstatuar se vendi që është zgjedhur nuk mund të ndikojë në ndotjen e mjedisit, por më e rëndësishme se kjo është balancimi i burimeve energjetike, gjë për të cilën Shqipëria ka shumë nevojë. Më tej Durim Kraja ka argumentuar se kompania që do të ndërtojë TEC-in me qymyr ka zgjedhur Porto Romanon si zonë, pasi është zonë strategjike si dhe për të zgjeruar alternativat e burimeve të energjisë. Megjithatë, ai është shprehur se ende nuk është marrë vendimi përfundimtar për ndërtimin e këtij TEC-i.
Ambientalistët
Ambientalistët kanë kërkuar se përpara se të merret nga qeveria vendimi për realizimin të këtij projekti, të shqyrtohet edhe studimi oponencë, që është kryer nga një agjenci europiane e specializuar. Ministri i Mjedisit, Xhuveli, tha se ekspertët po shqyrtojnë raportin e kompanisë “ENEL” përsa u përket efekteve në mjedis. Xhuveli, duke paraqitur disa nga të dhënat paraprake që parashikon ndërtimi i TEC-it me qymyr në Porto Romano nga kompania “ENEL” tha se “në bazë të studimit mbi efektet në mjedis të paraqitur nga kjo kompani, shkarkimi në ajër i gazrave është i moderuar, ndërsa shtoi se projekti parashikon dhe çlirimin e zhurmave rreth 2 km nga Porto Romano”. Gjithashtu ai theksoi se studimi paraqet reduktimin e oksidit të azotit në masën 85%, i oksidit të squfurit në masën 95%, ndërsa parashikon çlirimin e pluhurave në masë minimale. Drejtori Ekzekutiv i shoqatë "Ekolëvizja" tha se ndërtimi i termocentralit me qymyr në zonën e Porto Romanos është me pasoja të dëmshme në mjedis dhe si rezultat edhe mbi popullatën.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›