E Diel, 1 Nëntor 2026

Grindja për një femër në disko, plagoset me armë zjarri 21-vjeçari

SHKODËR – Një 21-vjeçar nga rrethi i Shkodrës mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri në orët e vona të dy ditëve më parë, pas një konflikti për motive banale me tre të rinj, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia. Burime zyrtare të policisë lokale thanë për gazetën “Albania” se ngjarja me pasojë plagosjen e rëndë të 21-vjeçarit Bernard Bojaj, banor i fshatit Hot i Ri në komunën Rrethina të Shkodrës, ndodhi në mjediset e një diskoje pranë universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe se dyshohet se shkak për të ka qenë një vajzë.
Ngjarja
Një i ri kishte vendosur të shkonte në diskon pranë universitetit për të dëfryer, por një konflikt me disa klientë të njohur të lokalit për pak sa nuk i ka marrë jetën. Burime policore thanë se konflikti mes të rinjve kishte nisur pas një keqkuptimi dhe më pas ai ka vazhduar me fyerje të ndërsjella. Asnjë nga të pranishmit në lokal nuk kanë marrë mundimin të shuajnë sherrin e nisur derisa ai ka përfunduar me krisma armësh. Shkëmbimi i zjarrit ka sjellë edhe plagosjen e rëndë të 21-vjeçarit, i cili është dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Mjekët kanë konstatuar se gjendja e tij është mjaft kritike dhe se është dashur ndërhyrja kirurgjikale, nga e cila pritet përmirësimi i gjendjes së të riut.
Hetitmi
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes kur gjithçka kishte përfunduar e madje nuk ka mundur të gjejë atje asnjë prej agresorëve. Pak marrjes së dëshmive në vendngjarje policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim si autorë të kësaj ngjarjeje shtetasit Saimir Alia, 22 vjeç, lindur dhe banues ne Fshatin Dobraç, i dënuar më parë për veprën penale të kanosjes serioze dhe armëmbajtje pa leje. Sipas burimeve policore bashkëpunëtorë të tij kanë qenë edhe Ardit Kodroja, 25 vjeç, lindur dhe banues po në Fshatin Dobraç, i dënuar më parë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe Ergys Harusha, 25 vjeç. Pritet arrestimi i personave dhe përmirësimi i gjendjes shëndetësore të Bojajt për të mësuar arsyet e konfliktit mes të rinjve që solli edhe plagosjen e rëndë. Burimet thanë se ndaj tyre janë ngritur akuzat “vrasje me dashje të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje të armëve luftarake”.

1 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›