E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poni, vendorëve: “Tolerancë zero ndaj kultivimit të Canabisit”

Tiranë – Zëvendësministri Poni kërkoi prej përfaqësuesve vendorë që në përpjekjet e tyre në luftën ndaj kultivimit të bimëve narkotike, në bashkëpunim edhe me aktorët e tjerë, jo vetëm duhet të jenë të rreptë dhe ambiciozë, por duhet të jenë edhe të mirëkoordinuar, profesionalisht të mirëpërgatitur për të selektuar rastet, në mënyrë që efektshmëria e goditjeve të jetë maksimale. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kryekomisar Ahmet Prençi, në fjalën e tij evidentoi faktin se “me gjithë tendencën në rënie të këtij fenomeni janë konstatuar mangësi, të cilat kanë konsistuar në një bashkëpunim jo efektiv me të gjitha institucionet e administratës publike”. Ai vuri në dukje se strukturat e qeverisjes vendore duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me strukturat policore në qarqe dhe në rrethe, me synim eliminimin e kultivimit të bimëve narkotike në shkallë vendi. “Gjithashtu, nuk ka patur një bashkëpunim të mirë edhe nga strukturat që janë pjesë e sistemit të Ministrisë së Mjedisit, tha Prençi, duke shtuar se, Policia pyjore, që është në vartësi të këtij institucioni, nuk ka identifikuar asnjë rast të vetëm dhe nuk ka dërguar asnjë informacion mbi kultivimin e bimëve narkotike”. Sipas tij, ka patur ndryshime në hartën e kultivimit të bimëve narkotike, duke u reduktuar vetëm në zonën e Lumit të Vlorës, Lazarat dhe Malësinë veriore të Shkodës. Prençi theksoi faktin se janë ngritur dhe kanë funksionuar mirë Shtabet e Qarqeve Kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike, nën drejtimin e Prefektëve, në 12 qarqet e vendit. Gjithashtu, janë ngritur grupet e kontrollit, të cilët kanë kryer kontrolle fizike sipas komunave për të evidentuar rastet e kultivimit të bimëve narkotike dhe informacionet e tyre janë administruar në Dosjen e Kultivimit të Seksionit Kundër Narkotikeve sipas qarqeve, si dhe është vlerësuar faza e parë parandaluese dhe sensibilizuese për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, duke bashkëpunuar me strukturat e pushtetit vendor, OSBE etj.

Aliko: “Lazarati jo më pikë e zezë në hartën e kultivimit të Canabisit”

TIRANË – “Lazarati nuk mund të jetë më një pikë e zezë në hartën e kultivimit të bimëve narkotike të vendit”, - u shpreh dje kryetari i komunës së Lazaratit, Dashamir Aliko, pas interesimit të medias lidhur me faktin se Lazarati gjendet ende në listën e zonave ku kultivohet Canabis sativa. Për t’i paraprirë luftës ndaj kultivimit të bimës narkotike në fshatin jugor të vendit, me më shumë se 4 mijë banorë, sipas kryekomunarit Aliko, janë zhvilluar disa takime, mes përfaqësuesve lokalë, atyre qendrorë, policisë dhe banorëve. “Mesazhi është i qartë, - tha Aliko, - ka ardhur data e skadimit, ku dhe Lazarati duhet të dalë nga ajo pikë e zezë ku ka qenë në hartë”. Aktualisht, sipas tij, janë rreth 20 procedime penale për kultivuesit e bimëve narkotike, por për t’u evidentuar, sipas Alikos, është fakti se asnjë prej të zgjedhurve vendorë nuk është i implikuar në to.

1 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›