Deklaratë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Sali Berisha dhe Ministrit të Mbrojtjes së Gjermanisë, zotit Franz Jozef Jung

Kryeministri Berisha: ”Sapo përfunduam takimin me Ministrin e Mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë, zotin Franz Jozef Jung dhe delegacionin që e shoqëronte, i përbërë nga anëtarë të Budenstag-ut.
Pas mirëseardhjes shumë të përzemërt, unë i shpreha mirënjohjen time më të thellë qeverisë së Republikës Federale Gjermane dhe kombit gjerman, për ndihmën shumë të madhe dhe tepër të çmuar që i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Kjo ndihmë, në 17 vitet e fundit, arrin vlerën financiare prej 700 milionë euro. Ajo ka përfshirë të gjitha fushat dhe kjo ka dhënë një kontribut shumë të madh në ndryshimet e mëdha që ka bërë Shqipëria dhe shqiptarët.
Bashkëpunimi politik, ekonomik, ushtarak dhe i gjithanshëm me Republikën Federale të Gjermanisë ka një rëndësi shumë të veçantë për Shqipërinë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen që kemi gjetur dhe gjejmë nga qeveria dhe kombi gjerman në përpjekjet tona për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe në NATO. Në ndihmën e dhënë për arritjen e standardeve, si në fushën ushtarake, ministria gjermane e Mbrojtjes i ka dhënë ushtrisë shqiptare një ndihmë shumë të çmuar, në fushën e arsimimit, edukimit, në fushën logjistike, në shërbimin shëndetësor, shkollimin në Gjermani dhe këtu, etj. Njësitë e para ushtarake shqiptare jashtë vendit, në Bosnje, u shpalosën nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë.
Kancelarja Merkel, në vjeshtën e vitit 2005, në Konferencën e Sigurisë Ndërkombëtare në Mynih, përmendi Shqipërinë si një nga 3 vendet e mundshme për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO. Këtë qëndrim mbajti qeveria gjermane dhe në Samitin e Rigës. Unë e sigurova ministrin Jung se ne jemi të vendosur të marrim çdo vendim, të ndërmarrim çdo reformë, në interes të arritjes së standardeve të anëtarësimit të vendit në NATO.
Vizita e Ministrit Jung dhe e delegacionit që e shoqëron atë, bëhet në prag të 20 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Republikën Federale gjermane, marrëdhënie miqësore, të suksesshme dhe me një perspektivë të shkëlqyer”
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, zotin Franz Jozef Jung: “Të nderuar zonja e zotërinj!. Unë mund të nënvizoj ato që sapo tha zoti Kryeministër. Unë gëzohem që kemi marrëdhënie aq të shkëlqyera mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shqipërisë. Dua të nënvizoj gjithashtu, përpjekjet pozitive që ka ndërmarrë Shqipëria për të marrë ftesën për anëtarësimin në NATO, në Samitin e Bukureshtit që do të zhvillohet në muajin prill të vitit të ardhshëm.
Ne mbështesim përpjekjet e vendit tuaj edhe për sa i përket perspektivës euroatlantike për Shqipërinë.
Dua të nënvizoj edhe bashkëpunimin tonë në fusha të tjera që krijojnë paqe e stabilitet. Që prej rreth 10 vitesh, jemi duke bashkëpunuar në Bosnje-Hercegovinë, ndërkohë Shqipëria po angazhohet dhe në Afganistan.
Për sa i përket zhvillimit të ardhshëm të Kosovës, edhe ne jemi të një mendimi. Në Kosovë ne kemi nevojë për stabilitet e paqe në të ardhmen. Për këtë arsye, ne jemi të mendimit që negociatat të zhvillohen mbi bazën e Planit Ahtisari, për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë. Ne shpresojmë se brenda këtyre 120 ditëve të arrihet një zgjidhje, në qoftë se do të jetë e mundur, edhe më parë, sepse kjo do të jetë kushti paraprak për paqe e stabilitet, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajonin përreth. Ndarja e Kosovës nuk mund të jetë një opsion për ne. Kështu që unë gëzohem për faktin që nga njëra anë jemi dakord e të një mendimi politikisht dhe nga ana tjetër kemi mundësi për të shoqëruar rrugën e Shqipërisë drejt të ardhmes së saj, në mënyrë konstruktive”.