Konservat e skaduara që u shpërndanë në Gërdec, ndalohet administratori
Tiranë - Policia ka sekuestruar dje një sasi konservash peshku, që mendohet se janë të skaduara, të cilat shkonin te familjet e prekura nga tragjedia e Gërdecit. Pas denoncimit që mediat i bënë faktit se te banorët e zonës fatkeqe të prekur nga shpërthimi i Gërdecit ishin shpërndarë ndihma në ushqime të skaduara, policia ka ndërmarrë një aksion kontrolli, ku ka evidentuar shkelje. Sipas burimeve nga Policia e qarkut të Tiranës, specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko – Financiar organizuan punën mbi verifikimin në magazinat e shpërndarjes së ndihmave të grumbulluara, e ndodhur në fshatin Gërdec, me synim për t’iu ardhur në ndihmë të dëmtuarve. Ndërkohë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1350 copë konserva peshku të subjektit “Euro-Fish” sh.p.k, me qendër në Lezhë, pasi konservat ishin me etiketa, ku data e skadimit e shkruar mbi to i përkiste vitit 2007. Ndërkaq, u ushtrua kontroll në ambientet e kësaj firme, në qytetin e Lezhës, ku edhe atje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 125 copë konserva peshku, me etiketa të stampuara me afat skadence në vitin 2009. Në lidhje me këtë çështje është shoqëruar dhe marrë në pyetje administratori i këtij subjekti, shtetasi Kujtim Shkreli, 57 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë. Policia bën të ditur se pas konsultimeve me Prokurorinë u vendos që ky i fundit të ndiqet në hetim të lirë.
29 Mars 2008