E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori amerikan në Përmet: Po shijoj qytetin e verës dhe luleve



PERMET - Ambasadori amerikan udhëtoi dje drejt qytetit të Përmetit për një vizitë dyditore. "Qytetin e Përmetit e kam njohur nëpërmjet Odise Paskalit, Mentor Xhemalit dhe Laver Bariut", deklaroi diplomati Xhon Uidhers, me të mbërritur aty. "Përmeti shquhet për mikpritjen, trëndafila dhe verën. Kjo është e vërtetë", shtoi ai duke vlerësuar më pas natyrën shqiptare me potenciale zhvilluese për turizmin kulturor dhe natyror. "Në Shqipëri numri i turistëve do të rritet, pasi vendi juaj ka potenciale natyrore dhe kulturore", është shprehur Uidhers. Ambasadori amerikan ka mbërritur në Përmet në orët e pasdites dhe fillimisht ka shijuar një kafe te bar "Familjari", për t'u takuar më pas me kryebashkiakun Edmond Komino. Gjatë takimit me këtë të fundit, ai është njohur me zhvillimet më të fundit në infrastrukturë në qytetin e luleve si dhe me trashëgiminë kulturore vendëse. Më pas, Uidhers ka zhvilluar një takim me këshilltarët bashkiakë të të gjitha forcave politike, ku ka diskutuar çështjen e integrimit të vendit në BE dhe perspektivën evropiane të tij. Gjithashtu, ai ka qenë tepër miqësor në bashkëbisedimet me këshilltarët, duke shkëmbyer herë pas here batuta të ndryshme. Në pallatin e sportit të qytetit, Uidhers asistoi në një takim basketbolli mes të rejave vendëse dhe atyre të ardhura nga Lushnja. Pavarësisht fitores së ekipit vendës, me rezultatin 68-42, për 20 minuta takimi u ndërpre për shkak të mungesës së energjisë elektrike, duke shkaktuar ilaritet në sallë dhe çuditërisht qetësi në sytë e ambasadorit Uidhers. Pas ikjes së dritave, ambasadori ka lexuar një roman në anglisht, duke sfiduar në këtë mënyrë shqetësimin e krijuar në sallën e mbyllur sportive. Ajo pak dritë që i vinte pas krahëve të tij nga dritaret e mëdha të pallatit të sportit, i lejonte ambasadorit të lexonte i pashqetësuar romanin e tij deri në mbërritjen e energjisë elektrike. Në përfundim të takimit miqësor, diplomati i SHBA-së ka vlerësuar lojën e zhvilluar nga basketbollistet e reja dhe i ka përkrahur ato të merren me këtë sport mjaft popullor në SHBA. Si dhuratë ai u shpërndau 24 uniforma sportive për të dyja skuadrat e vajzave basketbolliste. "Më kanë thënë që Përmeti shquhet për gatime dhe jam mjaft kureshtar t'i shijoj ato", kanë qenë fjalët e Uidhers para se të darkonte në restorant "Boston". Ai ka ftuar basketbollistet e reja të darkonin së bashku, duke i shoqëruar ato deri në orën 21:30. Ambasadori amerikan është akomoduar në mbrëmje në hotel "Alvero" në Përmet. Nesër Uidhers do të marrë pjesë në një orë mësimi në një klasë fillore dhe më pas do të udhëtojë për në Frashër, për të nderuar vëllezërit Frashëri. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›