Korçë, atentat Majkëllit në mes të qytetit
KORçE - Atentat në mes të ditës në qytetin e Korçës, por fatmirësisht shënjestra i shpëtoi breshërisë së kallashit. Ngjarja që ndodhi në mes të qytetit rrezikoi dhe qytetarët, për shkak se në këtë zonë ka lëvizje të shumta. Sipas dëshmitarëve, disa krisma arme u dëgjuan rreth orës 14:00 pak metra larg sheshit kryesor të qytetit. Në vendin e quajtur "Bonboneria", një autoveturë me targa italiane mbeti në mes të kryqëzimit, ndërsa drejtuesi i saj 25-vjeçari Majkëll Hysolli i mbijetoi mrekullisht atentatit të paramenduar me kallashnikov. "Majkëll Hysolli, 25 vjeç, i njohur edhe me nofkën 'Majku', është qëlluar me të shtëna tek e tek ndërsa po udhëtonte me autoveturën e tij tip 'Audi' me targë AT 585 PT", bëri të ditur policia. Personi që qëlloi ishte pozicionuar në krahun tjetër të rrugës, nga ana e ish-Mapos Industriale të qytetit. Mësohet se Olger Mustafa, 25 vjeç, autori i dyshuar i këtij atentati, ishte vendosur pranë një reklame vertikale ku mbante edhe një çantë të zezë sportive, në të cilën kishte fshehur armën automatike. Nga ky pozicion ai qëlloi me armë nga ana e shoferit, në drejtim të autoveturës që drejtonte Hysolli. Sipas hetimeve të para, tentativa për të vrarë 25- vjeçarin nga ana e Olger Mustafës ka qenë për larje hesapesh. g.a