E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, padi ministrisë për sheshin “Skënderbej”



Armand Bajrami

"Sherri" mes Bashkisë së Tiranës dhe Inspektoriatit të Mjedisit në lidhje lejen mjedisore të punimeve mbi rehabilitimin e sheshit "Skënderbej" zhvendoset në Gjykatë. Bashkia e kryeqytetit i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një kërkesë-padi, ku kërkon shfuqizimin e pikës së aktit administrative që pezullon aktivitetin deri në pajisjen me leje mjedisore. Punimet për rikonstruksionin e sheshit "Skënderbej" nisën në 28 mars të këtij viti. Aktualisht punimet kanë hyrë në fazën e dytë të tyre.
PADIA
Kërkesë-padia me anë të cilës Bashkia e Tiranës kërkon të realizoje "punime të ligjshme" në sheshin "Skënderbej" është regjistruar si çështja numër 8145 në Gjykatën e kryeqytetit. E depozituar në këtë gjykatë në datë 14 prill 2010, në rolin e paditësit aty është Bashkia e Tiranës, ndërsa si palë e paditur është Inspektoriati i Mjedisit pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit. Referuar kërkesë-padisë, Bashkia e kryeqytetit kërkon shfuqizimin e pjesës së vendimit të Inspektoriatit të Mjedisit, që u pezullon atyre punimet deri në marrjen e një lejeje mjedisore. "Anulimin e pikës 2 (pezullim i aktivitetit deri në pajisjen me leje mjedisore) të vendimit të Inspektoratit të Mjedisit pranë Agjencisë Rajonale Mjedisore, Qarku Tiranë nr. 110, datë 03.04.2010", thuhej në objektin e padisë. Pas depozitimit në Gjykatën e Tiranës, kërkesa është hedhur në shortin elektronik. Toga e zezë e përzgjedhur për shqyrtimin e kësaj kërkesë-padie është gjyqtarja Ariana Caco, ndërsa seanca e parë pritet të caktohet në ditët në vazhdim.
VENDIMI
Inspektoriati i Mjedisit pranë ARM-së në Ministrinë e Mjedisit lëshoi një urdhër në datë 3 prill 2010, me anë të të cilit pezullonte përkohësisht punimet për rehabilitimin e sheshit "Skënderbej" dhe vendoste një gjobë 2 milionë lekë të rinj, për efekt të mungesës së lejes mjedisore. Në një reagim zyrtar, ditën e këtij urdhri, Bashkia e kryeqytetit pohoi se ishin ndjekur procedurat për marrjen e një lejeje mjedisi në Ministrinë e Mjedisit, por se nga ky institucion nuk kishte pasur reagim. "Në arkivin e Ministrisë së Mjedisit gjendet shkresa përkatëse. Bashkangjitur shkresës, është relacioni përmbledhës i projektit, raporti i VNM-së (Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis), dokumentacioni i procesit të konsultimit publik si dhe fatura e pagesës së tarifës për lejen mjedisore. Pas një viti nga kjo kërkesë, Bashkia e Tiranës ka të drejtën të veprojë me parimin e miratimit të heshtur, ndërkohë që Ministrisë së Mjedisit i takon të zbardhë lejen përkatëse", thuhet në njoftimin e bashkisë. Në te njëjtën ditë kreu i Inspektoriatit të Mjedisit, pranë ministrisë, Ilir Bala, u shpreh se nuk ekzistonte asnjë leje mjedisore për fillimin e zbatimit të projektit për rehabilitimin e sheshit "Skënderbej".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›