E Diel, 1 Nëntor 2026

“Spitalet rajonale, shtretërit shfrytëzohen vetëm 25 për qind”



Pjesa më e madhe e spitaleve rajonale në vend shfrytëzojnë minimalisht shtretërit. Ndonëse fondet i kanë të bollshme, në to nuk punohet me kapacitet të plotë. Në këtë konkluzion kanë arritur ekspertët e shëndetësisë. "Rreth 30 spitale në Shqipëri kanë më pak se 200 shtretër spitalor dhe shfrytëzimi i tyre, për arsye dhe të lëvizjes së popullatës, ashtu si dhe të nivelit të dhënies së shërbimit shëndetësor, është rreth 20-25%. Pra është shumë e ulët. Në aspektin ekonomik do të kemi vështirësi nëqoftëse këto spitale do të vazhdojnë me këtë lloj ritmi të përdorimit të faciliteteve të tyre", tha dje gjatë një takimi të zhvilluar në bashkëpunim me Bankën Botërore, Saimir Kadiu, drejtor ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë. Përfaqësuesi i BB për shëndetësinë, Patrik McNelly theksoi gjithashtu se spitalet rajonale në Shqipëri nuk punojnë aq sa duhet, krahasuar me fondet që kanë. "Spitalet rajonale nuk punojnë në kapacitet e tyre të plota. Duke krahasuar fondet që kanë, për shembull me punën që bëhet në Qendrën Universitare "Nënë Tereza" vihen re mangësi dhe qëllimi i këtij masterplani është përmirësimi i cilesisë dhe shfrytëzimi i kapaciteteve në maksimum. Besoj se implementimi i tij do të fillojë pas dy muajsh", tha McNelly. Sipas këshillave të ekspertëve të huaj, kërkohet një racionalizim i shërbimeve shëndetësore, me qëllim që të anashkalohen spitalet që nuk funksionojnë dhe të forcohen shërbimet shëndetësore në ato spitale që përmbushin standardet. "Shqipëria harxhon çdo vit 6 për qind të GDP-së për shërbimin shëndetësor dhe ne duhet të mendohemi mirë për paratë që hedhim, me qëllim që të rrisim cilësinë e shërbimit dhe plotësimin e nevojave për ato spitale që u mungojnë", tha Kadiu. Ekspertët e huaj kanë përfunduar punën për masterplanin, i cili u shpjegon zyrtarëve të shëndetësisë se si duhet të shpërndajnë fondet dhe ku duhet të investojnë më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›