“ǒdo të bëhet me Tiranën”,qytetarët protestojnë në shesh
Reshjet e shiut nuk i kanë penguar aspak dhjetëra autoktonë të Tiranës të protestojnë në sheshin "Skënderbej". Të mbledhur pikërisht në pjesën ku kanë nisur punimet, me pankarta në duar, ata kanë kërkuar pezullimin e projektit që ka nisur të zbatohet. "ç’do bëhet me Tiranën", lexohej në pankartat që mbanin në duar. Kreu i Shoqatës "Tirana", Arben Tafaj, i cili ishte organizatori i këtij tubimi, theksoi në fjalën e tij se kryeqytetasit nuk mund të jenë peng i një konflikti politik. Sipas tij, ka ardhur koha për transparencë jo vetëm për sheshin "Skënderbej", por për të ardhmen urbane të të gjithë Tiranës. "Të flasësh sot për sheshin ose vetëm për sheshin është t'i mbash sytë mbyllur dhe të mos pranosh të përballesh me të ardhmen e qytetit në tërësi. Dhe kjo është e palejueshme. Kjo nuk do të mund të ndodhë. Ne jemi këtu për të kërkuar një përgjigje dhe për ta gjetur atë", tha Tafaj. Disa ditë më parë, Shoqata "Tirana" organizoi një tryezë me të gjithë aktorët për të diskutuar lidhur me projektin e sheshit "Skënderbej". Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, i pranishëm në këtë tryezë theksoi se projekti i rikonstruktimit të sheshit është i jashtëligjshëm sepse nuk është miratuar me ndryshimet e tij. Edhe specialisti Enver Faja është shprehur kundër projektit të ri për rikonstruksionin e sheshit "Skënderbej", duke theksuar se plani francez ishte më i përshtatshëm. Kritikat kryesore gjatë këtij diskutimi janë dhënë në lidhje me ndryshimin e planit nga ai francez në atë belg.