Ambasadori amerikan në Prishtinë: “Pavarësia është e pakthyeshme”
Ambasadori i SHBA-ve Kristofer Dell, i cili ka filluar detyrën e tij të re në Kosovë ka shprehur mbështetjen e vendit të tij ndaj paravësisë, të cilën e konsideron të pakthyeshme. “Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, kurse mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës do të jetë e pandalshme”,- është shprehur në Prishtinë. Ambasadori i ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit Fatmir Sejdiu, duke e siguruar atë dhe popullin e Kosovës për interesimin e vazhdueshëm të Uashingtonit për Kosovën. “Mund t’ju siguroj juve si president dhe popullin e Kosovës se mund të mbështeteni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner tuajin”,- tha Dell. Në vazhdim, ambasadori amerikan rikujtoi parimet kryesore të politikës amerikane ndaj Kosovës, të cilat ai tha se janë shumë të thjeshta, por edhe të qarta. Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu falënderoi Qeverinë amerikane për mbështetjen që i jep në vazhdimësi Kosovës. Ndërsa, ambasadorit Dell i premtoi gatishmërinë e tij dhe të institucioneve për bashkëpunim të vazhdueshëm. Dell pason në këtë detyrë ish-ambasadoren Tina Kaidanou.
Sejdiu dhe Hyseni, për lobing në Nju Jork
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe ministri i jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni parashikojnë zhvillimin e disa takimeve, në vigjilje të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me qëllim lobimin për njohjen e pavarësisë nga shtete të ndryshme. Sejdiu dhe Hyseni po përgatiten për javën presidenciale dhe ministrore që organizohet çdo vit në NJu Jork, në gjysmën e dytë të shtatorit, në vigjilje të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, sipas kësaj të përditshmeje, ka filluar para tre muajsh përgatitjen e axhendës për dy zyrtarët kosovarë. Kërkesat për takime janë dërguar në misionet e përhershme të vendeve me përfaqësuesit e të cilëve Sejdiu dhe Hyseni kanë shprehur interesim të takohen.
25 Gusht 2009