Athina në flakë, opozita sulmon Qeverinë për keqmenaxhim të situatës
Blerina Olldashi
Athina për të katërtën ditë me rradhë vazhdon të jetë në flakë, ndërsa zjarrfikësit janë përpjekur të venë nën kontroll vatrat e zjarrit që kanë rrezikuar seriozisht rrethinat e kryeqytetit grek, kryesisht zonën veriore. Zëdhënësi i qeverisë Evangelos Antonaros, bëri të ditur se krahasuar me ditët e mëparshme, rrethinat e Athinës janë më të sigurta. Banorët e periferisë veriore janë detyruar ta kalonin natën jashtë shtëpive të tyre, pas një urdhëri për evakuim në momentet që zjarret e krijuara nga erërat e forta, shkatërruan pjesë të mëdha të gjelbra përreth kryeqytetit grek. Një mur flakësh rrethoi këtë zonë dhe një zyrtar i lartë i përshkroi zjarret si katastrofë ekologjike. Që nga dita e shtunë kanë rënë më shumë se 80 zjarre dhe gjashtë prej tyre kanë vazhduar të digjën edhe gjatë ditës së djeshme. Disa pjesë të periferisë veriore të Athinës janë në pjesë të mëdha të braktisura, përveç ekipeve të zjarrfikësve, ushtrisë dhe policisë që janë ndeshur me zjarrët prej tre ditesh. Disa banorë nuk pranuan evakuimin dhe zgjodhën të luftonin me flakët me çfarëdo mjeti. Ndryshimi i drejtimit të eres, i shpëtoi disa shtëpi në Ayos Stefanos, nga ku mijëra vetë u larguan ditën e diel. Zjarret në Greqi kanë shkrumbuar 15 mijë hektarë pyje, kanë shkatërruar dhjetëra shtëpi dhe kanë detyruar mijëra njerëz të largohen nga vendbanimet e tyre.
Sulmi
Partitë e opozitës dhe shtypi vendas kanë sulmuar qeverinë për trajtimin jo të mirë të situatës. Partia Komuniste KKE i bëri thirrje Qeverisë për hartimin e një plani konkret, i cili do të shërbente për vënien nën kontroll të zjarreve, që rrezikojnë seriozisht kryeqytetin dhe rrethinat. “Mosorganizimi, indiferenca dhe pakujdesia kriminale i dhanë goditjen e fundit Athinës”,- shkruan e përditshmja “Eleftherotypia” në faqen e saj të parë, duke iu bashkuar edhe mediave të tjera në vend. Qeveria ndërkohë u mbrojt me argumentin se nuk mungon plani, por erërat nuk lejojnë shuarjen e zjarreve. Kryeministri Kostas Karamanlis ka thënë se zjarri që ka përfshirë vendin është i vështirë të ndalohet.
Përforcimet
Në ndihmë Greqisë i kanë ardhur edhe disa shtete. Rusia dërgoi dje dy avionë IL-76 dhe Be-200. Dekretin për këtë vendim e dha presidenti rus Dimitri Medvedev. Deri dje në Greqi për fikjen e zjarreve u përdor një helikopter Mi-26m i pajisuar me pajisje speciale për ndihmë në situata të tilla. Il-76 mund të lëshojë 42 tonë ujë. Ekipit të emergjencës prej 40 zjarrfikësesh iu bashkuan edhe dy avionë italianë dhe francezë. Kujdes është treguar në vatrat më të mëdha ku zjarri nuk është mundur të mbahet nën kontroll. 300 trupa ushtarake, janë angazhuar për t’u përballur me njerëzit mbetën në vatrat e zjarrit.
25 Gusht 2009