I gjenden në banesë 69 bimë Cannabis sattiva, arrestohet në flagrancë
Korçë – Forcat e policisë kanë ndaluar në flagrancë 21-vjeçarin Olger Shahinaj, lindur e banues në qytetin e Korçës. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, ndalimi i këtij shtetasi u bë për arsye se në banesë iu gjetën 69 bimë të ngjashme me ato të Cannabis sattiva. Materialet iu kaluan prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme, për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Në spitalit në rrezik për jetën, 38-vjeçarja piu ilaçe pa kriter
Korçë – Familjarët dhe të afërmit kanë transportuar drejt spitalit në gjendje të rëndë shëndetësore 38-vjeçaren Vera Pocka, banuese në fshatin Podgorie të Korçës. Sipas burimeve policore, ajo rezultoi të kishte konsumuar medikamente mjekësore pa kriter. Janë dashur disa orë ndihmë mjekësore që 38-vjeçarja të kalonte rrezikun për jetën. Janë kryer veprimet procedurale për veprën penale të “Shkaktimit të vetëvrasjes së ngelur në tentativë” të parashikuar nga neni 134/1 i Kodit Penal dhe materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Korçës.
Kërcënoi me granatë të pranishmit në një dasmë, arrestohet
Pogradec – Forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë 36-vjeçarin Arjet Jonuzi, banues në fshatin Çërravë të Pogradecit. Sipas burimeve policore, prangosja e Jonuzit u krye pas ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale të “Kanosjes” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 84 dhe 278/2 të Kodit Penal. Të njëjtat burime saktësuan se i ndaluari ka kërcënuar tre ditë më parë me një granatë luftarake, duke i hequr edhe siguresën, për motive banale Albert Jonuzin si edhe personat e tjerë që ishin në një dasmë tek banesa e tij. Ndërhyrja e menjëhershme e policisë ka neutralizuar autorin, duke mënjanuar krimin. Materialet për hetime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë së Pogradecit.
25 Gusht 2009