Centralet bërthamore, nis gara e ethshme mes shteteve të Ballkanit
Edhe Maqedonia shfaq planet e saj ambicioze për të ngritur centrale bërthamore. Ekspertët në Shkup, në dilema: Plane me Shqipërinë, Bullgarinë, apo në vete?
Albert Gjoka
Mungesat e mëdha të energjisë kanë vendosur në një garë të ethshme vendet e rajonit për përfshirjen në projektet e mëdha për ndërtimin e centraleve bërthamore. Pas Shqipërisë, edhe Maqedonia po shtron mundësinë për ngritjen e një centrali të tillë në Mavrov, ndërkohë që po shqyrtohen edhe opsione të tjera për të bashkëpunuar me vendet e tjera fqinje. Ekspertët në Shkup kanë sugjeruar disa mënyra për sigurimin e energjisë, ku njëra prej tyre mbetet edhe ajo për t’iu bashkuar idesë shqiptaro-kroate për ndërtimin e centralit bërthamor. Një gjë e tillë duket e largët për autoritetet maqedonase, po aq sa edhe ndërtimi i centralit të tyre në Mavrov. Në të njëjtat dilema është edhe Shqipëria, ndonëse për momentin po përqendrohet për të maksimalizuar prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet ekzistuese, apo nga ngritja e shpejtë e HEC-ve të reja.
Oferta bullgare për Shkupin
Maqedonia po merr sërish në konsideratë mundësinë për të bashkëpunuar në ndërtimin e centralit bërthamor të Belene NPP në Bullgari, ndërsa autoritetet e Sofjes kanë njoftuar se kanë ofruar për shitje 51 për qind të aksioneve për mungesë parash. Një fakt i tillë është thënë nga ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Fatmir Besimi, në mediat vendase. Ai ka pohuar se autoritetet e Shkupit po e analizojnë këtë mundësi. Vitin e kaluar qeveria refuzoi t’i bashkohet projektit për ndërtimin e Belene NPP, pavarësisht ofertës së bërë nga zyrtarët bullgarë. “Ne jemi duke e marrë në konsideratë këtë opsion, pavarësisht faktit se centralin bërthamor për prodhimin e energjisë e kemi planifikuar për ta bërë këtu. Megjithatë, kjo mund të kërkojë një kohë të gjatë dhe vendi kërkon zgjidhje të shpejtë të problemit të furnizimit të vazhdueshëm me energji”, - tha Besimi. Sipas tij, “projekti për një central bërthamor tashmë ka nisur edhe në Maqedoni. Por, mbi të gjitha, jemi në pritje të marrjes së vendimit nëse ekzistojnë kushtet për ndërtimin e një centrali i tillë në vend. Nëse Maqedonia vendos t’i bashkohet ndërtimit të Belene NPP, ai projekt do të kushtojë 4 miliardë euro”.
Alternativat e Maqedonisë
Ekspertët i rekomanduan qeverisë së Shkupit që të mos injorojnë mundësi të tilla kur i tërë rajoni po përballet me mungesa të ndjeshme të energjisë. Mediat maqedonase kanë bërë të ditur se Strategjia e re e Maqedonisë për energjinë parashikon mundësinë për ndërtimin e një centrali bërthamor fare afër Mavrovit. Por, janë shtruar edhe alternativa të tjera. Çështja nëse Maqedonia do t’i bashkohet projektit për ndërtimin e Belene NPP, të ndërtojë centralin e saj, apo do të jetë pjesë e financimit të centralit bërthamor të iniciuar nga Shqipëria dhe Kroacia, ka ngjallur debate të shumta mes ekspertëve në Shkup. “Disa ekspertë mendojnë se do të ishte më mirë që t’i bashkohen projektit bullgar”, - shkruajnë mediat maqedonase. Sipas specialistëve, problemi i vetëm është mënyra dhe rrugët se si do të sigurohet energjia.
Ngritja e centralit në Shqipëri është ide që kryeministrat e Kroacisë dhe Shqipërisë kanë diskutuar në nivel politik, por që nuk ofron zgjidhje të momentit as për dy vendet nismëtare dhe as për vetë Maqedoninë.
Alternativat në Shqipëri
Qeveria shqiptare është shprehur se shumë shpejt vendi do të kthehet në një superfuqi energjetike në rajon. Projekti shqiptaro-kroat për ndërtimin e centralit bërthamor, i lançuar muajin prill të këtij viti, është parashikuar që të kushtojë 5.3 miliardë dollarë. Këto dy vende do të ndërtojnë objektin mbi Liqenin e Shkodrës, me kapacitet 1500-MW, afër kufirit me Malin e Zi. Ndërkohë, qeveria italiane është gjithashtu e interesuar të ndërtojë centrale bërthamore në "vendet fqinje". Kryeministri italian Silvio Berluskoni dhe kryeministri shqiptar Berisha kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se vendi (Shqipëria), "është e gatshme për të pritur një central bërthamor, në mënyrë që vendi të bëhet një superfuqi energjie në rajon".
Me dhjetëra projekte që janë në rrugën e konkretizimit janë miratuar për prodhimin e energjisë me anë të ujit. Disa kompani të huaja, si “EVN”, “Stakraft”, apo “Verbund” po realizojnë projektet e tyre në shtretërit e lumenjve në vendin tonë. Po ashtu, ka përfunduar termocentrali me naftë në Vlorë, i cili është gati për prodhimin e energjisë, si dhe janë miratuar disa projekte për ngritjen e TEC-ve të qymyrit në Durrës dhe zona të tjera të vendit. Po ashtu, kabineti “Berisha” i ka hapur rrugën edhe ngritjes së parqeve eolike që prodhojnë energji përmes erës. Dy impiante të tilla janë parashikuar për t’u ndërtuar në zonën e Vlorës. Një tjetër alternativë për të siguruar energjinë është ajo përmes produkteve bimore. Kompania italiane, “Marseglia” ka paraqitur projektet e saj në zonën e Lezhës.
Së fundi, zoti Berisha, gjatë vizitës në Zagreb, bëri të ditur, për herë të parë publikisht, nismën e ndërmarrë bashkë me homologun kroat për ngritjen e një centrali bërthamor për prodhimin e energjisë në një zonë afër Shkodrës. Një lajm i tillë shkaktoi reagime jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje. Mali i Zi reagoi i pari, duke u shprehur kundër projektit, duke e argumentuar mosngritjen e tij në zonën afër Liqenit të Shkodrës me faktin se ky territor është me ndjeshmëri të lartë sizmike. Reagime pati edhe në vend. Ekspertët mjedisorë kanë dalë kundër. Një nisme të tillë iu bashkuan edhe qytetarët, edhe kandidatët për deputetë, të cilët dolën në protesta para zgjedhjeve të 28 qershorit.
PROJEKTET
Marseglia – janar 2009
Ngritja e një impianti për prodhimin e energjisë me produkte bimore dhe dy impiante eolike. Vlera, 1 miliard euro
Eneli – mars 2009
Ndërtimi i një TEC-i me qymyr në zonën e Durrësit me kapacitet prodhues 1300 megavat. Vlera, 2 miliardë euro
Enpower dhe Moncada
Ngritjen e një parku eolike në zonën e Vlorës me kapacitet 500 megavat dhe një të linje Shqipëri-Itali. Vlera, 1.25 miliardë euro
HIDROCENTRALET NË SHQIPËRI
Firma austriake “EVN” po punon në ndërtimin e HEC-it të Ashtës në Shqipërinë e Veriut, i cili do të ketë një kapacitet të instaluar prej 48 megavatësh dhe investimi do të arrijë në 160 milionë euro.
“EVN” dhe “Statkraft” nga Norvegjia filluan ndërtimin e 3 HEC-eve mbi lumin Devoll, me një kapacitet të kombinuar prej 320 megavatësh, nga ku pritet të japin rreth 1000 gigavat/h energji
SONDAZHET
Referendum për ngritjen e centraleve bërthamore në Shqipëri
Sondazhet kanë treguar se shqiptarët janë kundër ndërtimit të centraleve bërthamore në vend. Madje, nëse qeveria do ta marrë një vendim të tillë, do të duhet që më parë të bëjë një referendum popullor. Një anketim i bërë nga QKM, një qendër e specializuar sondazhesh, thotë se 71 për qind e të anketuarve janë kundër ndërtimit të një centrali bërthamor në Shqipëri. 56 për qind e të pyeturve e motivojnë me faktin se vendi ynë nuk është zonë e sigurt. Sipas të dhënave, 54 për qind e personave të përfshirë në sondazh thonë se centrali ndot mjedisin dhe rrezikon jetën e njerëzve. Më pak se 30 për qind janë shprehur në mbështetje të ngritjes së centraleve bërthamore në vend, duke e motivuar me mungesën e energjisë në vend. Vendimi për ngritjen e centraleve të tilla duhet të bëhet me referendum sipas 59 për qind të personave të pyetur nga QKM.
Ekspertët: Centrali bërthamor në Shqipëri: ëndërr apo skenar?
Nëse italianët do të vijnë për të ndërtuar një central bërthamor, nuk vijnë pa një kapacitet të instaluar 20 mijë mega, një shifër shumë e madhe. Kjo do të kërkonte një investim prej të paktën 3 miliardë eurosh. Ata do të vijnë në radhë të parë për veten e tyre, sepse këtë central nuk mund ta bëjnë në tokën e tyre. Kështu është shprehur Gjergj Simaku, eksperti për çështjet e energjisë, disa kohë më parë. Ai e sheh një projekt të tillë në ide, pasi është marrë një vendim ad hoc. Kryeministri Berisha ka biseduar me përfaqësues të shoqërive italiane dhe e ka marrë këtë vendim pas konsultimeve me homologun italian, Silvio Berluskoni. Pajtim Bello, ish-zëvendësministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, është shprehur se “të paktën në një të ardhme afatshkurtër dhe afatmesme nuk mund të flitet për energji bërthamore në Shqipëri. Për të menduar realisht për ndërtimin e një centrali atomik do të duhen të paktën 12-15 vjet. Qeveria nuk duhet të ketë maninë të rendë pas projekteve të stërmëdha, por duhet të mendojë për zgjidhje afatshkurtra dhe afatmesme të problemit.
25 Gusht 2009