E Diel, 1 Nëntor 2026

Shfrytëzoi për prostitucion një vajzë, e sjellin nga Milano në pranga

Kastriot Frashëri u ekstradua nga Italia për burg të pakryer

TIRANË – Janë dashur plot pesë vjet që një 41-vjeçar Kastriot Frashëri të ekstradohej nga Milano për burg të pakryer. Dënimi i beratasit lidhet me një ngjarje të 10 viteve më parë kur ai dhe dy të afërm të tij kanë shfrytëzuar me dhunë për prostitucion një vajzë, e cila sapo iu ka shpëtuar kthetrave të trafikantëve ka bërë edhe denoncimin në Lushnje. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Interpol Tiranës, që ka njoftuar homologët e tij në Romë. Italianët kanë legalizuar zonën e banimit të shqiptarit dhe e kanë vënë atë në pranga me qëllim ekstradimin në Tiranë.
Ekstradimi
Një nga dhjetëra ngjarje shqiptare, ajo e shfrytëzimit të prostitucionit, ka qenë dhe arsyeja e kthimit të Frashërit me pranga në Shqipëri. E shfrytëzuara nuk ka nguruar të denoncojë atë që i ka ndodhur duke identifikuar protagonistët e ngjarjes. Ndaj 41-vjeçarit filloi procedimi penal dhe gjykimi i tij në mungesë. Dy ditë më parë policia ka konfirmuar ekstradimin e tij. Burime policore i thanë gazetës “Albania” se Interpoli ka ekstraduar nga Italia një 41 vjeçar nga Berati, i dënuar për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit. Personi i ekstraduar nga Milano drejt Shqipërisë, është shtetasi Kastriot Frashëri, lindur më 5 tetor 1968 në Berat. “Në vitin 1999 Kastriot Frashëri, në bashkëpunim me gruan dhe motrën e tij, kanë detyruar me anë të forcës, shtetasen E. A., të ushtrojë prostitucion në Itali”, - detajoi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Vendimi
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje me vendimin nr. 14, datë 12 maj 2004, bazuar në prova e ka shpallur fajtor Frashërin për kryerjen e veprës penale “shfrytëzim prostitucioni” dhe e ka dënuar me 12 vjet heqje lirie. Frashëri që në atë kohë nuk ndodhej në Shqipëri u shpall në kërkim për këtë vepër penale. Vetëm pas 5 vitesh, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Roma u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë për të kryer dënimin i shtetasit Kastriot Frashëri.

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›