E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pukë, dy vatra zjarri ngrenë në alarm punonjësit e Shërbimit Pyjor



PUKË - Dy vatra zjarri të shfaqura njëherësh mbrëmjen e kaluar në rrethin e Pukës morën përmasa të mëdha në harkun kohor të disa orëve duke krijuar një situatë të pazakonte. Vatra e parë që u shfaq në sipërfaqet pyjore në afërsi të fshatrave Trun e Xath të Komunës se Blerimit kanë mobilizuar të gjithë punonjësit e Shërbimit Pyjor të vinin flakët nën kontroll për shkak dhe të rrezikut që i kanosej banesave. Megjithatë është dashur të kalonte mesnata që zjarri të vihej nën kontroll, pasi era e fortë i ka stimuluar flakët që përpinë rreth 5 ha pyje. Shqetësuese situata u bë në sipërfaqen me pyje e pisha buze rrugës nacionale vetëm 5 kilometër pa mbërritur në qytetin e Pukës. Në këtë rast, ndryshe nga ai i pari ku dyshohet që zjarri të jetë i qëllimshëm, shkak për përfshirjen në flake të rreth 7 hektarëve kanë qenë vendgrumbullimi i mbeturinave të qytetit të Pukës. Flakët morën përmasa me shpejtësi. Fillimisht ndërhyrja e mjeteve zjarrfikës ka qenë e pamundur për shkak të terrenit të vështirë, por efektivet e këtij reparti hynë në rrugë kalime të vështira duke u munduar të vinin flakët nën kontroll ndonëse një gjë e tillë ka qenë totalisht e pamundur për shkak dhe të sipërfaqes së madhe të përfshi nga flakët. Në vendin e ngjarjes kanë qëndruar deri në të gdhirë të mëngjesit të djeshëm edhe kreu i zjarrfikësve të Pukës, Agron Hadroj, kreu i Komunës së Qerretit Rrok Dodaj dhe Drejtori i Shërbimit Pyjor Gjin Filipi. Përpjekjet e forcave të angazhuara për të vënë flaket nën kontroll janë ndihmuar nga reshjet e shiut të rëna orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku fatmirësisht kanë ulur intensitetin e zjarrit. Në të dy vatrat e zjarrit vazhdojnë të qëndrojnë vëzhgues të Shërbimit Pyjor të cilët kanë vënë nën kontroll situatën.

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›