Veliaj prezanton kandidatët e G99-s në qarkun e Fierit
Erion Veliaj prezantoi dje kandidatët e G99-s në qarkun e Fierit për zgjedhjet e 28 qershorit. Ai tha se kandidatët e G99-s në këtë qark janë një grupim i vajzave dhe djemve më të mirë dhe më energjikë, të cilët përfaqësojnë denjësisht rininë e Fierit. Veliaj u shpreh se në këto zgjedhje ishte koha për të bërë introspektivën e vetes dhe për të parë nëse njerëzit që na drejtojnë janë vërtet ata të duhurit. “Thelbi i lëvizjes sonë është të sjellim pikërisht njerëzit më të mirë, më të aftë dhe me pasionin e duhur për t’i shërbyer publikut. Nëse shohim gjendjen tani, ajka e Shqipërisë ka rënë në fund, ndërkohë që është vetëm llumi ai që ngjitet lart. 28 qershori është dita për ta ndryshuar këtë”, - tha ai. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, kreu i G99-s deklaroi se qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të ndihen të lodhur nga politika e këtyre viteve, por duhet të përkrahin të rinjtë, të cilët do të sjellin ndryshimin. “Në rrugëtimin tonë në Shqipëri kemi takuar shumë njerëz të lodhur. Nuk ka sesi këta njerëz mos të jenë të lodhur teksa dëgjojnë në televizion dokrrat e të njëjtëve njerëz që na hedhin në erë, që zhveshin motrat tona për t’i futur në punë, që shesin dhe djegin goma, ndërkohë që janë ministra të Mjedisit. Ne për këtë popull të lodhur e të dekurajuar duhet të jemi pikërisht një pije energjike, t’u risjellin atyre freskinë me pasionin tonë, me gjërat e mira dhe me mënyrën sesi punojmë”, - tha kreu i G99.
4 Qershor 2009