E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori austriak Petritsch: BE më zhgënjeu për Kosovën

PRISHTINE-Ambasadori austriak Wolfgang Petritsch, ish ndërmjetës i BE-së për Kosovën në konferencën e Rambujesë, në një intervistë për Radio Kosovën tha se në Kosovë, dy vjet pas pavarësisë, janë shënuar arritje të mëdha. Petritsch tha se ishte i zhgënjyer me Bashkimin Evropian që nuk pati një qëndrim unik për pavarësinë, kur ishte koha, ndërsa ka shtuar se pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, janë një problem në rrugën e zhvillimit të mëtejmë të Kosovës në planin ndërkombëtar.
Petritsch tha se “ në Rambuje, kemi ndërmjetësuar mundësinë e një shkalle tejet të lartë të autonomisë brenda ish Federatës së atëhershme të mbetur jugosllave. Në të vërtetë qysh atëherë e kemi ditur se midis Serbisë dhe Malit të Zi ekzistonin probleme të mëdha, të cilat herët a vonë do të çonin te zhbërja e Jugosllavisë së mbetur. Edhe atëherë unë e kam ditur se për Kosovën do të ketë një status tjetër, i cili do të negociohej midis Kosovës dhe Serbisë për dallim prej atij për të cilin ne ndërmjetësuam në Rambuje. Atëbotë unë si përfaqësues i Bashkimit Evropian, së bashku me kolegët nga SHBA-ja dhe Rusia kishim marrë një mandat të qartë dhe ky mandat ishte të arrinim një kompromis midis Prishtinës dhe Beogradit, me ç’ rast delegacioni i Prishtina për dallim prej atij të Beogradit e kishte kuptuar se ishte në interesin e tyre të tregoheshin kooperativë, fakt ky që pasoi zhvillimet që të gjithë i dimë”.

Duke vlerësuar qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe numrin e njohjeve për Kosovën, ai ka thënë se “parë nga brenda shtetin e Kosovës, mund të thuhet se është një shtet që funksionon mirë, një shtet ku janë bërë përparime të mëdha dhe besoj të gjitha forcat politike e dinë se tashmë shteti i Kosovës është një projekt historik dhe besoj janë duke punuar në harmoni me këtë angazhim. Ndërkaq, shikuar në planin tjetër, atë ndërkombëtar Kosova është një projekt i pa përfunduar plotësisht, sepse ende nuk është bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe disa organizmave tjerë ndërkombëtare, por kjo çështje më duhet të them, nuk është krejtësisht në dorën e Prishtinës. Sa i takon njohjeve, më duhet t’ju them hapur, jam pak i zhgënjyer. Kam shpresuar se në fillim pas shpalljes së pavarësisë do të ishin më shumë shtete që do ta njihnin Kosovës njëherësh. Jam i zhgënjyer shumë me Bashkimin Evropian, që nuk pati një qëndrim unik që Kosova të njihej nga të 27-të vendet anëtare. Kjo në fakt dëshmon se Bashkimi Evropian është gjithashtu një projekt i papërfunduar plotësisht. Këto pesë shtete janë një problem në rrugën e zhvillimit të mëtejmë të Kosovës në planin ndërkombëtar".

Petritch shpreson se pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës do t’i bashkëngjiten politikës integrale të 22 shteteve tjera të BE-së dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo do të thoshte pranimi i Kosovës jo vetëm në aspektin formal por edhe faktik të si një shtet evropian nga ana e BE-së. Kështu Kosova pastaj do të pranohet në BE ashtu si Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi - si një shtet i pavarur.
Ai, poashtu, shpreson në suksesin e strategjisë për integrimin e veriut. “

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›