E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Qeveria duhet t‘i bëjë një qasje të re ligjit

Kreu i diplomacisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ambasadori Xhon Uidhers, i bëri thirrjen e radhës mazhorancës që të rishohë "Ligjin e Lustracionit". Në një intervistë për "Zërin e Amerikës" dy ditë më parë, ai vlerësoi se qeveria duhet të qasë rekomandimin e miqve të Shqipërisë për të riparë ligjin. "Gjithçka mund të bëjmë është të bëjmë rekomandimet tona dhe të japim këshillat tona të mira. Shpresojmë që do të merren parasysh", theksoi ambasadori. Ai konstatoi se pozicioni i qeverisë së SHBA është shumë i njohur. "Pozicioni është paraqitur edhe këtu, edhe në Uashington. Kemi ngritur problem në kushtetutshmërinë e ligjit, si dhe mbi zbatimin e mundshëm të tij", insistoi Uidhers. Sistemi gjyqësor, sipas Uidhers, është thelbësor që të ruajë pavarësinë e tij. Kreu i diplomacisë amerikane në kryeqytetin shqiptar garanton se SHBA-të nuk kanë interes në personalitete të veçanta në Shqipëri. "Nuk ka asnjë interes në llojet e ndryshme të konkurrimit politik që zhvillohet. Ajo në të cilën populli amerikan dhe qeveria amerikane përqendrohen këtu dhe kudo tjetër janë institucionet", nënvizoi ambasadori. Uidhers shtoi se mosmarrëveshje do të ketë gjithmonë. "Ka gjasa të ketë gjithmonë përshtypje se disa prej çështjeve kanë implikime politike. Secila palë do shohë tjetrën dhe do flasë mbi kohën etj. Por kjo është vërtet një fushë ku mendoj se shqiptarët kanë nevojë t‘i zgjidhin gjërat vet", theksoi Uidhers.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›