E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambientet e reja të paraburgimit presin 161 "banorët" e parë

Të paraburgosurit e Durrësit zhvendosen në godinën e re për ta, gati dhe ndërtesa për të burgosurit me probleme mendore. I lënë prej shumë vitesh jashtë vëmendjes fillimisht për shkak të pronësisë së papërcaktuar të godinës, ish-spitali ushtarak italian i ngritur në zonën informale të ish-kënetës prej një jave ka pritur banorët e rinj. Të 161 të paraburgosurit që ndodheshin në qelitë e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Durrësit janë zhvendosur në ambientet e reja të paraburgimit në Durrës, ndërkohë që godina shërben edhe si qendër shëndetësore për të burgosurit me probleme mendore. Nën masa të larta sigurie është bërë zhvendosja e të paraburgosurve nga Durrësi në zonën informale ku ndodhet dhe godina e re për ta. Tashmë, kompleksi i paraburgimit dhe trajtimit të të burgosurve me sëmundje mendore në Durrës është vënë në funksionim të plotë, ndërsa qeveria pati vënë në dispozicion të përshtatjes së godinës 1,2 milionë euro. Ish-spitali u ndërtua rreth 11 vjet më parë nga Klubi i Luanëve. Kompleksi përbëhet nga dy godina të veçanta, në njërën prej të cilave janë vendosur të paraburgosurit, duke i dhënë një frymëmarrje të re qelive të paraburgimit në komisariat, ndërsa në godinën tjetër është spitali qendror në shkallë vendi për kurimin e të burgosurve të cilët kanë sëmundje mendore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›