E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët: Gjykata Kushtetuese të pezullojë ligjin e "Dosjeve"

Prokurorët dalin hapur kundër qeverisë për ligjin e "Dosjeve". Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese gjashtë nene të këtij ligji, si të papajtueshëm me Kushtetutën. Ata kanë kundërshtuar në "Ligjin e Lustracionit" pikat që cenojnë kategoritë e tyre, konkretisht për nenet që bëjnë fjalë për emërimin, si dhe shkarkimin e prokurorëve, madje dhe balancimin e pushteteve. Në argumentet e paraqitura nga Shoqata e Prokurorëve thuhet se një ligj i miratuar me tre të pestat siç është ligji i funksionimit të prokurorisë nuk mund të shfuqizohet nga një ligj i miratuar me shumicë të thjeshtë, siç ishte ligji i "Dosjeve". Për këtë ligj, në mënyrë të herëpashershme kanë bërë kritikat e tyre zyrtarët evropianë dhe amerikanë, të cilët kërkuan konsensus politik mes forcave.

Pikat që kontestohen

Prokurorët i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese që të pezullojë ligjin e "Dosjeve" deri në shqyrtimin në themel të të gjitha neneve të tij që kanë të bëjnë me prokurorët. Ata deklarojnë se ligji që ka hyrë në fuqi pa dekretin e Presidentit Bamir Topi bie ndesh me ligjin organik për prokurorinë, që është miratuar në Parlament me 84 vota, ndërsa "Ligji i Lustracionit" është miratuar nga Parlamenti me një shumicë të thjeshtë. Sipas prokurorëve, fakti i mësipërm është antikushtetues dhe në Kushtetutë përcaktohet qartë. Një tjetër pikë që kontestohet nga prokurorët është edhe ndalimi i së drejtës së prokurorëve dhe ish-prokurorëve për t‘u zgjedhur në organet e pushtetit qendror dhe vendor. Pra, prokurorët që duan të largohen nga sistemi i prokurorisë nuk mund të "punojnë" në ndonjë administratë tjetër, pasi janë "damkosur" nga "Ligji i Dosjeve". Edhe kjo pikë, sipas Shoqatës së Prokurorëve, është antikushtetuese dhe se kërkesa e tyre e menjëhershme është pezullimi i ligjit deri në një rishikim të tij. Pika e radhës që kundërshtohet ka të bëjë me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve. "‘Ligji i Lustracionit‘ bie ndesh me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, pasi ligji i Parlamentit dhe i qeverisë shtrin efektin mbi gjykatat dhe prokurorinë", thonë prokurorët, duke shtuar se një prokuror nuk mund të shkarkohet pa një vendim gjykate për fajësinë e tij. Më pas, ata deklarojnë se ligji i "Dosjeve" nuk mund të prevalojë mbi ligjin e prokurorisë dhe Kushtetutën, ndërsa në ligjin e ri paragjykohet formimi arsimor, gjë e cila kundërshtohet në nenin 14 të Kushtetutës.

Efektet në prokurori
Prokurori më i atakuar politikisht, Zamir Shtylla, ka dhënë dorëheqjen nga hetimi i tragjedisë së Gërdecit, disa orë pas hyrjes në fuqi të ligjit të pastërtisë së figurës. Prokurori ka deklaruar se nuk dëshiron që "figura" e tij të "hetohet" nga komisioni që do të ngrihet nga qeveria për krimet e komunizmit. Tashmë, pritet që efektet e ligjit të ndihen edhe tek disa ish-hetues para viteve ‘90, që janë ende në sistemin e prokurorisë. Megjithatë një pjesë e prokurorëve mendon se ligji do të ndryshojë dhe ata do të përjashtohen nga "hetimi" i qeverisë.

Ankimet

Partitë dhe subjektet që kanë kundërshtuar ligjin e "Dosjeve"

Në Gjykatën Kushtetuese janë regjistruar disa kërkesa për pezullimin e ligjit të pastërtisë së figurës. Partia Socialiste e ka kundërshtuar e para këtë nismë të mazhorancës, duke e cilësuar si antiligjore. "Gjykata Kushtetuese të vendosë pezullimin e këtij ligji me pasoja të mëdha ligjore, politike, sociale dhe njëkohësisht të vendosë për shqyrtimin në themel, ku mbetet në vendimmarrjen e gjykatës, shqyrtimi dhe vendimmarrja e saj. Në këtë ligj janë shkelur jo pak, por si në asnjë rast tjetër të paktën 28 nene të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Është shkelja më flagrante që mund të ketë ndodhur ndonjëherë në historinë tonë 18-vjeçare", deklaronte Partia Socialiste pas hyrjes në fuqi të ligjit. PS-ja saktësoi se kanë parashtruar në kërkesë shkaqet që argumentojnë plotësisht që nuk jemi përpara një konflikti ndërmjet detyrimit që i jep Kushtetuta Gjykatës Kushtetuese për ta shqyrtuar dhe për të marrë vendimmarrje lidhur me këtë kërkesë dhe ligjit në fjalë. "Kemi argumentuar në kërkesë se është në detyrimin kushtetues të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të marrin pjesë në gjykimin e kësaj çështjeje. Çdo largim nga gjykimi i kësaj çështjeje është me pasoja për gjyqtarin kushtetues. Gjithashtu, ne kemi kërkuar që të thirren si subjekte të interesuara, krahas qeverisë që është iniciatorja, Kuvendit që e ka nxjerrë ligjin, Presidenti i Republikës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, Avokati i Popullit dhe subjektet që preken nga ky ligj", deklaron PS-ja, duke kërkuar nga Kryeministri që të heqë dorë nga ushtrimi i dhunës publike ndaj institucioneve të gjyqësorit dhe në mënyrë të veçantë, në rastin konkret ndaj Gjykatës Kushtetuese. "PD-ja duhet të heshtë edhe për një arsye tjetër, sepse kjo nuk është thjesht një kërkesë e opozitës, por është një kërkesë e Kushtetutës, është kërkesë e ligjit dhe kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë", vazhdon PS-ja.

Ndërkohë, pavarësisht reagimeve të partive politike në Shqipëri si dhe të ndërkombëtarëve, qeveria është shprehur e bindur se ligji i hartuar është forma më e mirë e mundshme që nuk shkel Kushtetutën dhe që siguron paqen sociale te shtresat e të përndjekurve të regjimit komunist. Por kundër mazhorancës janë shprehur edhe organizatat jofitimprurëse. Njëra prej tyre, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, dorëzoi një ankimim të ngjashëm me atë të opozitës dhe të Prokurorisë në Gjykatën Kushtetuese, duke shënuar kështu numrin rekord të ankimimeve për të njëjtin ligj të miratuar me shumicë kartonësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›