Ambasadori danez: Hetim të plotë 21 janarit

Ambasadori danez, Jensen
TIRANE – Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Danimarkës në Tiranë, Karsten Jensen, vendi i të cilit ka kreun e radhës së Presidencës së BE-së. Sipas zyrës së shtypit në Prokurori, takimi pati si temë kryesore pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe rolit të tyre në forcimin e shtetit të së drejtës. Në takim u pretendua se është vlerësuar performanca e Prokurorisë Shqiptare si një nga hallkat e rëndësishme në ruajtjen dhe zbatimin e ligjit. Mbështetja te ligji, zbatimi me rigorozitet i tij dhe shmangia e çdo ndikimi ekstraligjor nga organet e drejtësisë është një nga kushtet themeltare të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë në vend, tha Prokuroria. Sipas saj, në këtë aspekt u trajtuan dhe çështje të veçanta me të cilat ndeshet Drejtësia shqiptare, hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i proceseve të ndryshme, siç janë ato që lidhen me ngjarjet e 21 janarit, transparenca dhe efektiviteti në gjykim. Në vijim të takimit midis kryeprokurores Ina Rama dhe ambasadorit të Danimarkës, Karsten Jensen, u trajtuan dhe çështje mbi zhvillimet aktuale. Në takim u diskutua rëndësia se secili institucion duhet dhe e ka për detyrë të punojë në mënyrë të pavarur, bazuar në ligj dhe jashtë çdo ndërhyrjeje, për të garantuar shtetin e së drejtës, thuhet në deklaratën e Prokurorisë. Sipas saj, mbi këtë bazë, ambasadori shprehu mbështetjen e tij për Prokurorinë shqiptare dhe punën profesionale të kryer prej saj, si dhe vlerësoi bashkëpunimin midis institucioneve të akuzës së dy vendeve.