Barroso: Kriza sdo të ndalë zgjerimin e BE-së
Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, ka siguruar vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE, se kriza ekonomike nuk do ta ndalë zgjerimin e Unionit. “Kriza aktuale nuk mund të jetë një arsyetim për mosvazhdimin e përpjekjeve tona për bashkimin e familjes europiane, në veçanti me vendet e Ballkanit”, ka deklaruar Barroso. Ai ka theksuar se BE do ta çojë përpara zgjerimin, pasi sipas tij, ekzistojnë kritere realiste që u mundësojnë vendeve të reja anëtarësimin. Ndërkaq, po dje kolegji i komisionerëve miratoi pa diskutime rekomandimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. Ky rekomandim është pozitiv, por i kushtëzuar me përmbushjen e kritereve të mbetura nga të dy vendet e prapambetura të rajonit për këtë proces. Për heqjen e regjimit të vizave, Shqipërisë i kërkohet strategji për riintegrimin e të riatdhesuarve, zbatim efikas i kuadrit ligjor për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, e po kështu zbatim efikas të ligjit të ri për konfiskimin e aseteve kriminale. Rekomandimi i komisionit u miratua sipas ‘procedurës së shkruar’ dhe hyn në fuqi sot në orën 12:00. Në versionin e fundit të draft-rekomandimit ku përcaktohet se si Shqipëria ashtu edhe Bosnja do të kenë nga tre kushte secila për të plotësuar, në mënyrë që këto vende të mund të përfitojnë nga heqja e regjimit të vizave. Në kategorinë e kushteve përmendet zhvillimi i një politike dhe strategjie për të mbështetur riintegrimin e të riatdhesuarve shqiptarë. Gjithashtu, nënvizohet nevoja e forcimit të kapaciteteve të zbatuesve të ligjit dhe implementimi efikas i kuadrit ligjor për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku përfshihet dhe përcaktimi i burimeve të duhura njerëzore dhe financiare. Komisioni kërkon zbatim efikas të ligjit të ri, i miratuar në vitin 2009, në fushën e konfiskimit të aseteve kriminale. Pa dallime, në kushtin e dytë që për Bosnjën është i pari në listën e komisionit, për vendin tjetër të prapambetur në këtë proces, kushtet e tjera janë specifike për sistemin boshnjak. Komisioni kërkon forcimin e kapaciteteve dhe zbatimin efikas të kuadrit ligjor për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zbatimi efikas i planit të aksionit për shkëmbimin elektronik të të dhënave mes prokurorisë dhe policisë. Gjithashtu, konstatohet nevoja e harmonizimit të Kodit Penal të entiteteve dhe distriktit Brcko me atë në nivel shtetëror.
#