E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori gjerman, Borkard: “Shqipëria të luftojë korrupsionin”



Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borkard, është shprehur dje nga Gjirokastra se Shqipëria duhet të luftojë korrupsionin si një nga kriteret kryesore të udhërrëfyesit për integrimin europian. Përsa i përket situatës politike në vend, ambasadori gjerman përsëriti edhe njëherë qëndrimin se palët duhet të gjejnë një zgjidhje nëpërmjet dialogut që garanton transparencë dhe respekt të ligjeve në fuqi dhe Kushtetutës. Gjithsesi, ambasadori gjerman bëri të ditur se situata politike nuk pritet të ndikojë në vendimin e Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për shqiptarët. “Përmirësimi i infrastrukturës së sistemit të deportimit të emigrantëve (riatdhesimi), lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë dy kërkesat që qeveria shqiptare duhet t’i përmirësojë deri në fund të sezonit të verës”, - është shprehur ambasadori i BE-së. Borkard u bëri thirrje dy forcave politike të zgjidhin mosmarrëveshjet që janë shfaqur pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, që, sipas tij, është në dobi të konsolidimit të sistemit të demokracisë. “Presim që të dyja palët të ulen në tryezë për të zgjidhur ngërçin politik”, - tha Borkard. Ambasadori gjerman nënvizoi se Komisioni Europian, në fillim të shtatorit, do të rishikojë në terren përmirësimin e kushteve dhe më pas do të vendosë për liberalizimin e vizave me afat të shkurtër. “Lufta kundër krimit të organizuar është një element shumë i rëndësishëm për përafrimin e Shqipërisë në strukturat e Bashkimit Europian”, - shtoi ai.

Lohan: “Qytetarët nuk kanë besim te shoqëria civile”

Gjatë prezantimit të një raporti për vlerësimin e shoqërisë civile, ambasadori Helmut Lohan u shpreh në aktivitet se qytetarët shqiptarë kanë besim të ulët te shoqëria civile. Sipas tij, organizatat e shoqërisë civile kanë probleme serioze për shkak të skepticizmit të qytetarëve lidhur me funksionimin e tyre. Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Helmut Lohan, mendon se skepticizmi i përhapur te qytetarët vjen si pasojë e shqetësimeve në lidhje me qeverisjen e shoqërisë civile, pasi të gjithë janë mësuar që ndryshimet të vijnë nga lart, por edhe nga niveli i ulët i besimit te politikëbërësit. Po ashtu Lohan shtoi se këto organizata shihen si burim fitimi nga të dyja palët. “Axhenda e organizatave të shoqërisë civile nxitet nga donatorët. Kështu që duhet të kemi një financim afatgjatë dhe të qëndrueshëm të këtyre organizatave. Një prej mungesave kryesore të këtyre organizatave është skepticizmi i qytetarëve në impaktin e shoqërisë civile. Në indeksin e publikuar vihet re se këto organizata duken si burim fitimi. Ndërkohë që duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje impaktit dhe reagimit qytetar”,- është shprehur Lohan. Sipas raportit, 18.4 për qind e qytetarëve shqiptarë janë anëtarë të organizatave sociale. Ndërkohë që pjesa tjetër e shoqërisë është tepër dyshuese për përfitimet nga këto organizata. 42 për qind e organizatave refuzojnë të tregojnë të dhënat e tyre financiare dhe vetëm 8 për qind shprehen se vendimet merren nga anëtarët e saj. Shoqëria civile dhe organizatat e saj nuk kanë hyrë ende në pjesën rurale të vendit. Qeveria, së bashku me donatorët, ka krijuar agjencinë për mbështetjen e shoqërisë civile, por ata mendojnë se është i nevojshëm dhe një ligj.

6 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›