E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e Meta: Koalicioni PD-LSI funksionon dhe është i suksesshëm

Dy politikanët përshëndesin njëvjetorin e bashkëpunimit

Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kanë përshëndetur dje njëvjetorin e krijimit të koalicionit qeverisës dhe të firmosjes së bashkëpunimit PD-LSI. Sipas Berishës, bashkëpunimi me LSI-në bëri që të realizohen premtimet si për proceset integruese të vendit, ashtu dhe përsa i përket rritjes ekonomike. Edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, e cilësoi koalicionin me PD-në të suksesshëm. Sipas kryetarit të LSI-së, njëkohësisht zëvendëskryeministër, Meta, koalicioni mes PD-së dhe LSI-së deri tani ka një bilanc pozitiv. Meta, nëpërmjet humorit, ka bërë të ditur se marrëveshja e bashkëpunimit midis PD-së dhe LSI-së është firmosur më 4 korrik, në ditëlindjen e kreut të PS-së Edi Rama dhe shfrytëzoi rastin për ta uruar Ramën për ditëlindjen.
Koalicioni
“Që nga dita kur u shpall koalicioni i imponuar nga votat e sovranit, ka treguar që ka qenë një koalicion funksionues. Ka një bilanc pozitiv në funksionimin e institucioneve qeverisëse dhe ka shënuar një progres të dukshëm në raportet e Shqipërisë me BE-në. Marrëveshja për koalicionin LSI-PD lindi në 4 korrikun e vjetshëm, pikërisht në ditëlindjen e Ramës, ndaj e uroj atë për ditëlindjen”, - është shprehur Meta. Në të njëjtën ishte edhe deklarata e kreut të qeverisë, Berisha, e mbajtur në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të PD-së. “Koalicioni i zgjedhjeve të 28 qershorit ia doli mbanë t’u përmbahet të gjitha parimeve të bashkëpunimit dhe respektimit të kohezionit social në të mirë të interesave të të gjithë shqiptarëve. Koalicioni i integrimit ia doli të realizojë me seriozitetin më të madh programin dhe premtimet e tij. Përshëndes, në emër të maxhorancës, të gjithë ata drejtues dhe veprimtarë të forcave politike të këtij koalicioni për vendimin e shkëlqyer që morën 1 vit më parë, për t’i dhënë vendit qeverinë me spektrin më të gjerë të mundshëm dhe për të mobilizuar në qeverisje forcat më eficiente”, - tha Berisha.
Rezultati
Më pas, kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij, është ndalur në punën e bërë nga ky koalicion në krye të qeverisë, ndërsa vuri theksin te përmbushja e programit ekonomik. “Kur ekonomia botërore dhe ajo europiane përballet me vështirësi, është jashtë çdo lloj imagjinate që kjo të mos pasqyrohet edhe në ekonominë shqiptare, por unë ju informoj se ekonomia jonë reale është shumë e mirë dhe se ajo është rritur ndjeshëm në këtë gjashtëmujor të parë të vitit”, - është shprehur Berisha. Sipas kryeministrit, bilanci i të ardhurave nga eksportet e mallrave shqiptare për këtë gjashtëmujor është 39.39 miliardë, thuajse i trefishuar nga ai i së njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndërsa eksportet me materiale të importuara kapin vlerën e 42 miliardëve. Shefi i qeverisë tha se kjo rritje eksportesh nuk ka ekzistuar kurrë më parë në vend dhe në total ato llogariten në vlerat e 81 miliardë e 750 milionë lekëve, duke dëshmuar kështu një shkëputje të thellë në zhvillimin e industrisë në vend, për rrjedhojë edhe të rritjes së të ardhurave prej saj. Kryeministri theksoi se dyshifrore është edhe rritja e tregtisë, transporteve, ndaj, tha më tej ai, vendimi për të rritur pagat dhe pensionet ishte i mbështetur fuqishëm në shifrat reale të të ardhurave në fondet e administratës. Më tej Berisha i cilësoi deklaratat e opozitës sa i përket vendimit për rritjen e pensioneve e pagave, si një shpirtkazmëri të pashembullt dhe një ikje nga idetë e opozitës së majtë, që mbështesin gjithnjë vendime të tilla sociale. “Kam ndjekur reagimet e opozitës ndaj këtij vendimi dhe, të reagosh kështu, do të thotë ta shohësh botën nga kullat e Fidelit. Nuk mund ta kuptoj se si mund të ngrihet opozita ndaj këtij vendimi, duke e quajtur krim rritjen e pensioneve. Kjo është shpirtkazmëri e pashembullt”, - deklaroi kryeministri Berisha.
Duke iu referuar kësaj kundërvënieje të opozitës ndaj një vendimi dhe politike sociale të nevojshme, Berisha iu drejtua opozitës si ndjekësve të flaktë të parimeve të Engelsit dhe Marksit. Kryeministri ripërsëriti se “as edhe një qindarkë e vetme s’po përdoret nga kursimet”. Kreu i qeverisë e ftoi opozitën t’u referohet të dhënave të bankave. Kryeministri Sali Berisha i kërkoi ministrit të Financave, Ridvan Bode, të vërë në dispozicion të opozitës të gjithë dokumentacionin që dëshmon rritjen e të ardhurave dhe deklaroi se në buxhetin e ri do të ketë shkurtime të ndjeshme. Kryeministri Sali Berisha tha se “mbledhja e ardhshme e qeverisë do të vendosë për rritjen e rrogave, pas rritjes së pensioneve më 1 korrik”.

6 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›