E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-ja, gati të rrëzojë dekretin e radhës për anëtarët e Gjykatës së Lartë



Eljona Ballhysa
Demokratët duket se kanë vendosur të rrëzojnë një tjetër kandidat për anëtar të Gjykatës së Lartë të dekretuar nga presidenti Topi. Kjo u bë e qartë dje gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve me kandidatin Sokol Çomo. Deputetët demokratë, gjatë seancës së pyetjeve, këmbëngulën te posti që Çomo ka mbajtur si zëvendësministër i Drejtësisë gjatë viteve 1998-2000 kur në pushtet ishte Partia Socialiste. Deputetët demokratë aluduan për lidhje të Çomos me politikën, gjë që sipas tyre ka ndikuar që ai të bëjë karrierë në Gjyqësor. Madje demokratët u shprehën se zgjedhja e tij në postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë do të sjellë ndikim të politikës në Gjyqësor. Ndërkaq, vetë avokati Çomo është shprehur se nuk ka asnjë lidhje me politikën dhe se në bazë të ligjit, kalimi i tij nga Gjyqësori në Ministrinë e Drejtësisë cilësohet si karrierë gjyqësore.
Seanca
I pyetur disa herë nga anëtarët e PD-së në Komisionin e Ligjeve për lidhjet e tij me politikën, Çomo u shpreh: “Emërimi im si anëtar i KLD-së është bërë mbi kritere plotësisht profesionale dhe nuk ka pasur asnjëherë asnjë përzgjedhje të orientuar nga kritere politike”. Më pas ai i është referuar ligjit, sipas të cilit, puna e një gjyqtari në administratën shtetërore cilësohet si karrierë gjyqësore. “Në bazë të ligjit, lëvizja e personave gjykatë-ministri-gjykatë cilësohet si karrierë gjyqësore. Unë kam shërbyer në Ministrinë e Drejtësisë në bazë të karrierës gjyqësore pa asnjë ndikim politik. Në asnjë vend të botës nuk ndalohet karriera gjyqësore që të ushtrohet në administratën ekzekutive. Në gjykatat europiane do të gjeni me plot raste gjyqtarë që kanë mbajtur poste zëvendësministrash, madje dhe ministrash. Unë nuk kam bërë karrierë profesionale mbi bazën e lidhjeve politike. Nuk kam qenë asnjëherë anëtar partie dhe s’kam bërë asnjë deklaratë politike”, - është shprehur kandidati për anëtar të Gjykatës së Lartë, Sokol Çomo.
Ndërkaq, deputeti demokrat Gent Strazimiri, duke komentuar karrierën profesionale të Çomos, u shpreh se “është mbresëlënës fakti që ju, në moshën 26-vjeçare, jeni emëruar në postin e zëvendësministrit të Drejtësisë. Një nga sëmundjet e Gjyqësorit cilësohet të jetë presioni i politikës. A mendoni ju se kjo sëmundje mund të shërohet në rast se përzihen bashkë karriera gjyqësore dhe ajo politike?” - është shprehur Strazimiri, duke aluduar lidhjet e avokatit Çomo me politikën. I pyetur për çështjen e korrupsionit në Drejtësi, Çomo deklaroi se nuk është joshur asnjëherë nga ofertat korruptive. Ai tha se asnjë person nuk ka guxuar t’i bëjë atij ndonjë ofertë korruptive, ndërsa deklaroi se pasuria e tij përbëhet nga një apartament, të cilit po vazhdon t’i paguajë kredinë. I pyetur për vendimet e Gjykatës së Lartë, Çomo u shpreh se nuk do të bënte kritikun e këtyre vendimeve, por ka vendime të Gjykatës së Lartë që nuk janë të njëjta me mendimet e tij për çështje të ndryshme. I pyetur nga deputetja Mesila Doda për vendimin e maxhorancës që të mos ketë karrierë për ata gjyqtarë që kanë dhënë vendime politike gjatë regjimit komunist, Çomo rezervoi të drejtën për të mos u shprehur për një çështje që nuk ka lidhje me të.
Avokati Sokol Çomo është kandidati i dyti, pas Medi Bicit, që iu përgjigj pyetjeve të deputetëve para se ata të votohen në seancën parlamentare. Në Komisionin e Ligjeve do të dëgjohet gjatë mbledhjes së sotme edhe kandidati i fundit, Vexhi Muçmata. Pas seancave të pyetjeve, që do të shoqërohen më pas me diskutime mes palëve në komision, kandidaturat do të shkojnë për votim të hapur në Kuvend.
Gjykata e Lartë ka 17 anëtarë, të cilët emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet, ose nga radhët e juristëve të shquar që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet.

Tri dekretet e Topit për Gjykatën e Lartë

Vetëm pak kohë më parë, Presidenti i Republikës, në bazë të Kushtetutës, dekretoi tre gjyqtarë si anëtarë të Gjykatë së Lartë dhe i dërgoi dekretet për shqyrtim dhe miratim nga Kuvendi. Kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë janë: Mehdi Bici, Sokol Çomo dhe Vexhi Muçmata. Mehdi Bici është dekretuar gati dy vjet më parë nga presidenti Topi si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe ka marrë 86 vota kundër të PD-së për shkak se kreu i shtetit nuk u konsultua me Kuvendin për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Mehdi Bici shënon një karrierë të gjatë si gjyqtar në Gjykatën e Faktit në Tiranë, më pas ka mbajtur postin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit. Ai ka gjykuar procese të bujshme dhe njihet si gjyqtar që nuk ka marrë asnjë masë disiplinore.
Dekreti tjetër i presidentit është Sokol Çomo, i cili ka një karrierë të gjatë, prej më shumë se një dekade në Gjykatën e Faktit të Tiranës. Ka qenë për shumë vite nënkryetar i kësaj gjykate. Njihet si një gjyqtar që nuk ka marrë masa disiplinore dhe është marrë si me çështje civile, ashtu dhe me çështje penale. Presidenti ka dekretuar Vexhi Muçmatën si anëtar të Gjykatës së Lartë. Muçmata ka një karrierë të gjatë si prokuror në Tiranë. Është jurist i njohur, me një karrierë të suksesshme.

Rregullorja
Dekretet do të votohen me votë të hapur në seancë parlamentare

Tri dekretet e presidentit Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë do të votohen me votë të hapur në seancë parlamentare. Ky vendim u sanksionua vetëm pak kohë më parë në Rregulloren e Kuvendit, kur deputetët e PD-së votuan të vetëm amendamentet për ndryshimin e Rregullores. Amendamentet e PD-së sanksionuan në Rregullore votimin e hapur për dekretet e Presidentit që lidhen me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese dhe rritjen e afatit që ka në dispozicion Kuvendi për shqyrtimin e këtyre kandidaturave. “Ndryshimi parashikon që dekretet e Presidentit të Republikës të votohen në formën e votimit të hapur. Një votim të tillë parashikon në rastin e miratimit të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të ministrave që emërohen dhe shkarkohen pas këtij momenti dhe për projektligjin e buxhetit të shtetit. Nëse për çështjen e ministrave bëhet votim i hapur, nuk ka arsye që për rastet e dekreteve të Presidentit për kandidatët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të ndiqet një formë tjetër votimi. Votimi i hapur gjithashtu sjell dhe një efekt në lidhje me transparencën e procesit dhe gjithashtu siguron që publiku të njohë shprehjen e vullnetit politik të Kuvendit në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke, sikundër një raport i tillë është vendosur për përbërjen e Këshillit të Ministrave ose për ministrat”, - argumentuan demokratët. Ndërsa deputetët e PS-së, e kundërshtuan këtë propozim duke e konsideruar ndryshimin e Rregullores një përpjekje të liderit të maxhorancës për të kontrolluar votën e fshehtë të deputetëve. Socialistët refuzuan të marrin pjesë në votim duke braktisur seancën parlamentare kur u votuan ndryshimet në Rregullore vetëm me votat e PD-së.

Konferenca e Kryetarëve, Topalli kërkon mbledhje të komisioneve edhe pasditeve

Kryetarja e Kuvendit ka mbledhur gjatë ditës së djeshme Konferencën e Kryetarëve, ku morën pjesë: kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi dhe nënkryetarët e Kuvendit, Namik Dokle dhe Nasip Naço. Konferenca mori në shqyrtim kalendarin 3-javor të punimeve për periudhën 05.07.2010-22.07.2010. Gjatë fjalës së saj në këtë mbledhje, kryetarja e Kuvendit, duke pasur parasysh axhendën e ngjeshur të kësaj periudhe, propozoi intensifikimin e mbledhjeve të komisioneve të Kuvendit edhe gjatë pasditeve, si dhe mundësinë e shtimit të numrit të seancave plenare. Konferenca e Kryetarëve do të diskutojë sërish kalendarin, përpara mbledhjes së seancës plenare të ditës së enjte, datë 08.07.2010.

6 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›