E Diel, 1 Nëntor 2026

Teknologjia dixhitale, Berisha, referuesi kryesor në OKB



Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, do të jetë referuesi kryesor i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për sa i përket teknologjisë dixhitale. Gjatë qëndrimit në SHBA, z. Berisha do të ketë një axhendë të ngjeshur me takime dypalëshe me liderë botërorë dhe personalitete të rëndësishme botërore. Kryeministri Berisha do të bëjë një përshëndetje në Millenium Challenge Corporation, si dhe do të jetë i ftuar të marrë pjesë në Samitin për Ndryshimet Klimaterike. Kryeministri do të jetë referuesi kryesor në samitin “Global Creative Leadership”, në panelin për edukimin dhe impaktin e teknologjisë dixhitale në edukim. Kryeministri Berisha dhe zonja Berisha do të jenë në mesin e shumë liderëve të tjerë të botës, kryetarë të delegacioneve pjesëmarrëse në sesionin e 64 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të cilët do të priten në një mbrëmje gala nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Barack Obama, në Metropolitan Museum of Arts. Në debatin e sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Berisha do të mbajë një fjalim për tërë të pranishmit në sesion. Kryeministri Berisha do të jetë i ftuar special në ceremoninë tradicionale të hapjes së bursës amerikane, NASDAQ. Gjatë vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime të ngrohta edhe me bashkësinë e shqiptarëve të cilët jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që japin një kontribut të çmuar në jetën dhe politikën e vendit. Kryeministri Berisha u nis dje për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha do të shoqërohet edhe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›