TIA: Ligj të ri për financat e partive politike
Transparency International Albania reagoi dje për financimet e parive politike të përdoruara gjatë fushatës së fundit elektorale, duke deklaruar se ka një mungesë informacioni për donacionet private dhe shpenzimet në tërësi. Përfaqësuesi i TIA-s, Endri Shabani, tha se partitë politike bëjnë me dije vetëm fondet që kanë marrë nga Buxheti i Shtetit. “Informacioni ekziston vetëm për fondet e përftuara nga Buxheti i Shtetit, por nuk ka asnjë të dhënë për të ardhurat nga donacionet private. Në asnjë nga mjetet e informimit publik partitë politike nuk kanë deklaruar shumën totale të shpenzimeve të tyre gjatë kësaj fushate elektorale”, - tha Shabani. Ai shtoi se duhet një legjislacion i plotë për të verifikuar shpenzimet e partive, duke miratuar një ligj për to. “Transparency International Albania propozon hartimin e një ligji të plotë për financimin e partive politike (ligj që përfshin jo vetëm çka ndodh në fushatë, por edhe midis dy fushatave) duke synuar respektimin e nenit 9 të Kushtetutës. Transparency International Albania u bën thirrje partive politike për t’i dhënë fund heshtjes për financimin. Shqipëria është e vonuar në hartimin e një legjislacioni të plotë, si hap i parë për t'i dhënë fund informalitetit në funksionimin e demokracisë në Shqipëri”, - deklaroi Endri Shabani.